Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka vendosur që të kalojë propozimin francez për diskutim dhe votim në një seancë plenare.

 Kjo, pasi është dakordësuar me partnerët më të vegjël të koalicionit qeverisës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar burimet zyrtare brenda takimit.

Përfaqësuesja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Maja Moraçanin e konfirmoi një fakt të tillë.

Sipas saj, partitë kanë kërkuar në takim që të gjithë dokumentet të përkthehen në gjuhën maqedonase, por nuk është përcaktuar ende se kur do të mbahet seanca.

Kjo, pasi partitë e vogla kërkuan publikimin e të gjitha dokumenteve që përmban propozimi, përfshirë edhe protokollin, përmbajtja e të cilit nuk dihet ende.

Tre partnerët e koalicionit i thanë Kovaçevski-t se është e papranueshme për ta nëse çështjet dypalëshe lidhur me historinë dhe arsimin janë pjesë e procesit të negociatave.

Reagimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje autoriteteve maqedonase dhe popullit të Maqedonisë së Veriut që ta pranojnë propozimin francez.

“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkruante Rama në statusin e tij.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur, përmes një njoftimi zyrtar, se e ka pranuar propozimin e Presidencës franceze.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pranuar propozimin nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve tona të shprehura publikisht”, cilësohet fillimisht në deklaratë.

Sipas autoriteteve vendase, kjo paraqet bazën për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil dhe publikun e gjerë.

“Siç edhe premtuam, vendimin për të ardhmen do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të saj”, thekson reagimi i qeverisë maqedonase.

Në përmbyllje, autoritetet falënderuan presidentin francez Emmanuel Macron për përpjekjet në lidhje me kapërcimet e pengesave dhe ruajtjen e kredibilitetit evropian në Ballkan.