Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar në Qendrën Sociale “Jonathan”, ku u diskutua për dyfishimin e mbështetjes ekonomike të fëmijëve e të rinjve me aftësi të kufizuar. Rama u ndal edhe te garancitë e reja shëndetësore e shoqërore për kujdestarët e tyre.

“Është zgjedhur një nga vendet ku ajo çka dëgjojmë për fëmijët me aftësi të veçanta është një punë e përditshme me të gjitha vështirësitë. Ishte bërë një kohë e gjatë që mbështetja ishte bërë e pamjaftueshme duke pasur parasysh kostot e jetesës. Janë 11 mijë fëmijë që do të përfitojnë”, tha Rama.
Përveç rritjes së pagesës ekonomike, qeveria ka vendosur të marrë përsipër mbulimin e plotë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga buxheti i shtetit për të gjitha nënat dhe kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Për tej kësaj kemi marrë një masë edhe për kujdestarët. Një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur që të shkojë rregullisht në punë, dhe përballet me problemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kështu që ne vendosëm, që buxheti i shtetit t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe kujdestarët, sikurse të ishin në punë. Ne nuk jemi jashtë realitetit dhe jemi këtu për të bërë më shumë dhe jo për të fjetur mbi dafinat e arritjeve apo të sukseseve që janë të pamohueshëm. Ne sot kemi një sistem më të besueshëm dhe më efikas”, shtoi kreu i qeverisë.

Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026–2030, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon, krahas dyfishimit të pagesës, edhe më shumë shërbime në komunitet, akses më të lehtë në arsim, punësim dhe rehabilitim, si dhe mbështetje më të madhe për jetesë të pavarur.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *