/Veritas.com.al/

Nuk ka fitues të pastër as nga e djathta në pushtet, as nga opozita. Zgjedhjet e të dielës e zhysin Maqedoninë në krizën politike të radhës. Pesha e shqiptarëve- e vetmja që mund të ndryshojë balancat.

Votimi nuk është ankimuar për parrëgullsi apo vjedhje në ish republikwn jugosllave.

Çprej dy vjetësh jeta politike është e helmuar nga akuzat për korrupsion, spiunazh masiv të popullsisë, apo autoritarizmin e skajshëm të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, në pushtet që nga 2006.

Partia e tij, VMRO-DPMNE kryeson me fare pak vota, çka i mundëson krijimin e një koalicioni dhe vazhdimësinë e qeverisjes. Por gjithçka është në fije të perit.

Kriza nisi në fillim të 2015 kur social-demokrati Zoran Zaev bëri publike përgjimet e paligjshme të mijëra maqedonasve, sipas tij të kryera me porosi nga rival i tij.

Përmbajtja e tyre zbulonte fakte korrupsioni në sferat më të larta të pushtetit dhe të administratës.

Këto zgjedhje të përgjithshme pritej të shënonin daljen nga kriza të këtij vendi kandidat për në BE, ku paga mesatare është më pak se 400 euro në muaj.

Po t’i besosh shtypit të së hënës, të gjithë kanë fituar. “Fitorja e dhjetë e VMRO-DPMNE”, titullohej editoriali i të përditshmes pro-qeveritare Dvevnik.

“Qeveria ra në Shkup”, festonte gazeta pro-opozitës “Sloboden Pecat”.

Pas numërimit thuajse të plotë, partia e Nikola Gruevski, në pushtet që në 2006, ka siguruar vetëm 38,06 % të votave përkundrejt 36,69% të SDSM.

– “Zgjedhje të reja” ?-

Sipas parashikimeve të mediave, ky rezultat u garanton  51 vende (nga 120 deri 123 vende të asamblesë së ardhshme), pra vetëm dy deputetë më shumë sesa rivali i tij. Edhe me 10 vendet që ka marrë aleati i tij BDI, partia kryesore shqiptare, mazhoranca e tij është e brishtë.

Deri mbasditen e të hënës, komisioni zgjedhor nuk e ka shpallur ende rezultatin përfundimtar. “Pas disa muajsh do të kemi zgjedhje të reja”, parashikon editorialisti i Dvevnik, Darko Janevski.

Nëse Nikola Gruevski nxitoi të deklaronte qëllimin e tij për të ndërtuar një koalicion, kundërshtarët e tij kanë tjetër mendim: “Nikola, ti do shkosh në burg!”, thoshte një simpatizant i  SDSM të dielën në rrugët e Shkupit, aludim për dyshimet për korrupsion që rëndojnë mbi këtë burrë 46 vjeçar që ka 10 vjet që po i vë vulën e vet politikës maqedonase.

Shumë maqedonas janë të bindur se nëse do të largohej nga pushteti, ai që e la postin e kryeministrit në janar për t’u hapur rrugën zgjedhjeve, do të intensifikohej presioni i drejtësisë.

Shqiptarët, që përbëjnë rreth një të katërtën e 2,2 milion maqedonasve, janë në qendër të lojës. Përveç BDI të ish-rebelit Ali Ahmeti, një lëvizje e re, Besa, që mori 4,87% të votave dhe kërkon masa ekonomike në favor të minoritetit shqiptar, ka për të thënë fjalën e vet.

Pesëmbëdhjetë vjet pas trazirave të 2001, kur vendi rrezikoi të zhytej në një luftë ndër-etnike, çështja mbetet e ndjeshme.

– Vota shqiptare –

Gjatë fushatës, Nikola Gruevski akuzoi Zoran Zaevin se po luante me zjarrin duke premtuar një “federalizim” të vendit.

Ndërkohë që analistë të shumtë dyshonin se Maqedonia ishte pjekur për një votim që do të ngrihej mbi përkatësitë etnike, ofensiva e sharmit të Zoran Zaev duket se u shpërblye.

Sipas mediave shqiptare të Maqedonisë, në rajonin e tyre verior, nga 70.000 dhe 80.000 votues kanë votuar për SDSM dhe jo për partitë e tyre tradicionale.

Shumë maqedonas ishin të lehtësuar për faktin se zgjedhjet u zhvilluan të qeta. Që prej dy vjetësh, opozita del rregullisht në rrugë. Në pranverë, u sulmuan vandalisht zyrat e presidentit Gjorge Ivanov në Shkup.

“Më e rëndësishmja është që këto zgjedhje ishin paqësore, transparente dhe demokratike, në një atmosferë të tillë elektrike ndarjeje të shoqërisë, të opinionit publik”, komenton për AFP-në analisti politik Aleksandar Damovski.

“Këto rezultate do t’i detyrojnë partitë të ndërmarrin negociata serioze, të pranojnë kompromise, të kalojnë marrëveshje të përbashkëta, çka do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi demokratik”, shpreson Aleksandar Damovski.

/Veritas.com.al/