Frrok Çupi

Përditë kaloj këtu para selisë së Radio Televizionit Shqiptar. Dje nuk po më linin hapat të bëja tutje. Nga porta e xhamtë e ndërtuar aty mes viteve 1963 dhe 1970, vinte erë temjani dhe tinguj muzike funebre. Të dyja më vinin, jo se i ftoja unë as temjanin as muzikën  njëkohësisht, por pse ashtu u hap mëngjesi me lajme për ‘mortje dhe me ringjallje’.

Vdekja:

Dje kishte ikur në heshtje gazetari i çmuar Lad Grillo.

Ringjallja:

Po mbrëmë u ngrit nga hiri emri i Marash Hajatit, vdekur vite të shkuar.

Të dy:

Të dy, si Ladi edhe Marashi, selinë e RTSH e kanë pasur strehën e tyre; i pari gjithë jetën, ndërsa i dyti nja tre a katër vjet sa ishte Drejtor. A thua bash për këtë arsye mu bë se nga porta e vjetër po dilnin sinjale ‘vdekjeje’ dhe ‘ringjaljeje’ në një kohë!. Ndoshta jo, sepse që sot Ladi nuk ka më punë me këtë ndërtesë të harruar nën mallkime popullore që derdhin taksa që prej vitit 1963.

Ndërsa Marashi nuk vdes kurrë.

Marashi, më të fundit dukje publike kishte dje, dje këndoi prapë në Festivalin e 60. Lajmi qe shumë i bujshëm në publik: ‘Vajza e Marashit fitoi çmimin e parë në Festival’. Vajza në fakt nuk kishte asnjë arsye pse të fitonte në një spektakël të vlerës kombëtare, por ndodhi për arsye të Marashit. Dukej se ishte thërritur që në fillim: ‘Eja, vajzë, të fitosh çmimin e parë!’. Çmimi nuk duhej të dilte nga ‘lloji’, domëthënë nga ‘celula jonë e vjetër’.

Po cila është ‘celula’?

Celula e vlerës nuk është ajo që është, por ajo që dikush thotë se ‘është’. Mediokrit kanë vendosur të mblidhen në celulën e banalitetit.

Marash Hajatin zor se e njeh njeri nga ata të Festivalit; ndoshta as  gazetarët. Por ai është një ‘celulë’. Edhe kur ishte në jetë, Marashi ishte veç një ‘pjesëz’: Mediokër si gazetar, shef i madh i zgjedhur nga Politbyroja, i pikasur nga Malësitë e Veriut me argumentin se ‘nuk e lëmë veriun pas dore’; si katolik në minorancë; njeriu që nuk shkroi kurrë një artikull as la një shënim për të qenë, por…. nuk e prishi me askënd dhe qe burrë i mirë.

Atëherë ishte një ‘celulë’, sepse nuk përfaqësonte gjë. Edhe sot thërritet në skenë me të njëjtin qëllim. Tani e kthejnë në totem të banalitetit.

Ku do të dalin?

E para, se ‘o zot na bëj të padukshëm’, si një ‘burrë i mirë’ si ai! Kjo është vlera e parë. Njerëz që nuk mund të bëjnë vepër të mirë, mblidhen në ‘kacollen e celulës’ dhe nxjerrin përpara ‘Marashin’. Ka shumë ‘burra të mirë’ ky vend. Më në fund mediokrit e rinj mbrohen me tabelën: “E shikon?, nuk mund të thuash se Marashi nuk e meriton!’.

E dyta: Cilët janë ata që ‘e meritojnë’?

“Ai që nuk flet, çoç di! Ai që nuk bën asgjë, diçka bën!”- kjo është filozofia e ringjalljes dhe e mos-pranimit të vdekjes. Në shoqërinë tonë po rrënjoset ideja se ‘sa më hileqar, aq më i zgjuar është’. ‘Sa më shumë të vjedhë, aq më i zoti për familjen’, thuhet. Politikan bir k…’, thonë prapë. Ndërsa në fushën e artit e të kulturës shkrimtarët dhe artistët emërohen nga ata të ‘celulës’.

E treta, se në celulën e mos vlerës, këta tipa po rrumbullakosen dhe bëhen gurë bilardoje pa asnjë të metë. Mes gurëve të rrumbullakët mund të mbijetojë çdo mediokër që nuk bën asgjë të vlerë…, këta të gjallët shikojnë interesin xhepit. Por këta po i japin kombit modelin e rrokullisjes dhe jo të ngjitjes.

E katërta: Edhe ata që kanë vdekur, nuk i lënë të vdesin… Vdekja është e natyrshme dhe njerëzore; mos u tronditni pse e përflasim vdekjen. Mjerë ata njerëz që nuk jetojnë realitetin dhe vlerën. Ata që kanë vdekur e bënë të tyren, po këta pinjollët dhe vëllezërit e bashkëshortët…, pse nuk i lënë rehat? Kjo është celula e fundit ku strehohen njerëz abuzivë.

‘Celulat’, më në fund, janë ndarë në dy grupime, sipas stinës:

Kur antikomunistët e vitit ‘90 e lanë Marashin rrugëve, e quajtën ‘propagandist komunist’. Këta të tanishmit e kthejnë në totem gjatë luftës kundër të parëve. ‘Antikomunistët, si edhe këta të sotmit, kanë bërë totemin e  tyre: Nelaj, Blloshmi, Bilali… As atyre nuk ua njohin ndonjë vepër; por mjafton t’i kthejnë në totem lufte.

E kemi shumë keq këtë punë, nëse një gjë nuk vdes e një gjë tjetër nuk rritet…