Me 74 vota kundër, Kuvendi i Shqipërisë e ka rrëzuar projekt-rezolutën e Partisë Demokratike, të paraqitur gjatë seancës plenare nga kryetari në detyrë i forcës politike, Enkelejd Alibeaj, sa i përket rritjes së çmimeve.

Socialistët, ishin të gjithë njëzëri kundër draftit të paraqitur nga demokratët.

Çfarë përmbante rezoluta?

Projekt-rezoluta e PD-së përfshinte uljen në 6% të TVSH-së për mallrat e shportës bazë.

Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e tetë viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eliminuar taksën e qeverisë mbi karburantin.

Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për vitin 2022.

Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore.

Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga data 1 prill 2022.

Rritjen e pagës minimale në masën 36 mijë (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga data 1 prill 2022.

Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, veçanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive.

Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milionë euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon.

Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë.