Pas Stambollit dhe Romës, avioni i “AirAlbania” rreth orës 20 :15 të mbrëmjes së sotme ka sjellë në Shqipëri 134 shqiptarë, të cilët do të transportohen më pas në dy hotelet karantinë në Durrës, ku do të qëndrojnë aty për 14 ditë, si një masë parandaluese për përhapjen e COVID-19, nisur edhe nga fakti që vijnë nga një nga zonat më të nxehta, Milano.
Përveç autobusëve që pritet t’i transportojnë në dy hotelet në Durrës, në dispozicion autoritetet kanë vënë edhe një autoambulancë. Ajo do të shërbejë për të transportuar një udhëtar i cili është tetraplegjik.
Ky i fundit kishte shkuar në Itali për vizitë, por mbeti i bllokuar si pasojë e mbylljes së kufijve për shkak të COVID-19.
Mësohet se në total shqiptarët e atdhesuar deri më sot janë 390. Ndërkohë, ditën e martë pritet mbërritja edhe e shqiptarëve nga Frankfurti.