TIRANË– Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështetja për bujqësinë shqiptare jo vetëm që nuk do të mungojë, por do të rritet vit pas viti, duke synuar forcimin e fermës shqiptare dhe nxitjen e investimeve në sektorin bujqësor.

Rama theksoi se mbështetja e drejtpërdrejtë për bujqësinë pritet të arrijë në 100 milionë euro.

Sipas tij, edhe Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, ndërsa instrumente financimi do të ofrohen edhe përmes agrokredisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se synimi i qeverisë është që financimi të mos jetë më pengesë për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi.

Ai shtoi se çdo projekt i qëndrueshëm, i mbështetur me dije dhe plan të qartë nga aplikantët, do të financohet, në një formë ose në një tjetër. Ai  garantoi fermerët me akses më të gjerë në burime financiare për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Mbështetja jo vetëm nuk do mungojë, por do rritet vit pas viti. Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë, që duam ta çojmë në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit, e cila tashmë është regjistruar dhe ka gati planin për të filluar të jetësojë aktivitetin e vet. Me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, me mbështetjen e agrokrediti, që është vënë në lëvizje dhe me mbështetjen e AZHBR dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes AZHBR, ne do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare dhe fermës shqiptare dhe të gjithë ata që duan të jetojnë me tokën një fakt: për askënd nuk do jetë çështje lekësh, nuk do jetë çështje fondesh për gjithkënd do jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijeve për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do jetë i duhur dhe që do mbështetet me dije nga çdo aplikant, nuk diskutohet që do financohe , në një rrugë ose në një tjetër”, tha kryeministri Rama/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *