Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla pas mbledhjes së Partisë Socialiste ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, teksa më 24 korrik mbaron mandati i Presidentit Ilir Meta.
Balla tha se Kuvendi ka ende kohë në dispozicion, por u shpreh i sigurt se deri më 24 Maj do të kemi emrin e ri të Presidentit
“Duhet të kuptoni që neni 88 i kushtetutës ka përcaktuar kohën kur fillon proceësi i zgjedhjes së presidentit. Procedurat fillojnë jo më vonë se më 24 Maji. Kemi edhe pak ditë në dispozicion derisa të fillojnë procedurat. Është procedurë që merr 5 raunde votimi në Kuvendin e Shqipërisë. Këtij procesi duhet t’i lihet koha e duhur.
Procesi ka përfunduar herën e kaluar më 27 Prill. Në rastin tonë procesi duhet të përfundojë më 24 Maj. Kjo është një ditë që ka pasur një kontekst të caktuar historik. Ne do kemi presidentin e ri ose presidenten e re të Republikës. Dua të them që edhe sot në konferencën e kryetarëve nuk do kemi Kalendar për këtë çështje”, deklaroi Balla.