Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta mblidhet sot në orën 12:00, që është edhe afati i fundit që Ilir Meta mund të paraqitet për seancë dëgjimore. Më herët Meta e cilësoi Komisionin Hetimor dhe kërkesën e saj të palegjitimuar dhe fiktive që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës.
Në mbledhjen e fundit në qendër të diskutimeve ka qenë raportimi i ekspertëve ligjor Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun kontraktuar nga Kuvendi për shkeljet kushtetuese që ka kryer presidenti Ilir Meta.
Eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se nuk ka asnjë justifikim që Presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale dhe se gjuha e tij duhet të jetë korrekte.
Ilir Meta edhe pse ka pasur mundësinë që të paraqitet në komision gjatë javës së kaluar nuk e ka bërë, ndërsa Komisioni i ka dhënë atij afat deri ditën e sotme. Kjo është java e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor dhe pritet që të jetë e ngjeshur deri në hartimin e raportit përfundimtar.
Anëtarët e Komisionit Hetimor janë Alket Hyseni, Myslym Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.
VERITAS.COM.AL