Pas dy seancave njëra pas tjetrës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka nisur debati mbi të ashtuquajturin “propozim francez”, që ka si synim zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.

 Sot në foltore do të ngjiten edhe tre deputetët e fundit me fjalimet e paralajmëruara dhe më pas pritet të realizohet procesi i votimin.

Debati në Kuvend ka nisur që të enjten, por për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, seanca ka vazhduar deri në orët e vona të së premtes.

Gjatë kësaj të fundit debati ishte intensiv.

Mazhoranca parlamentare e LSDM-së ia la “skenën” plotësisht kundërshtarëve të VRMO-DPMNE-së.

Deputetët e kësaj të fundit, kanë vijuar të krijojnë tension në sallë gjatë seancës plenare, ku nuk kanë munguar as sharjet e fyerjet.

Pavarësisht kësaj, duket se shumica (ku bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare), do të vulosë me heshtje, por me votë, vendimin për pranimin e propozimit francez, duke i hapur kështu rrugën procesit të integrimit evropian jo vetëm për Shkupin, por edhe për Shqipërinë.

Tirana zyrtare, prej thuajse dy vitesh varej pikërisht nga vetoja bullgare karshi maqedonasve për mos hapjen e negociatave.

Por, me heqjen e vetos së Sofjes pas rrëzimit të Qeverisë në Bullgari dhe pranimit të propozimit të presidentit francez Emmanuel Macron, ra edhe vetoja bullgare.

“Qyqar, ksenofobë dhe kriminelë. Mund të çirreni, të fishkëlleni sa të doni, ne do ta vazhdojmë rrugën evropiane të këtij shteti, duke ruajtur gjuhën maqedonase dhe të gjitha veçoritë e identitetit etnik maqedonas”, tha Sanella Shkrijel gjatë fjalës së saj, një deputete nga radhët e LSDM-së, duke iu drejtuar kundërshtarëve, të cilët hodhën akuza të ashpra karshi Qeverisë.

Me fyerje ia ktheu deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrusheski, i cili në fund edhe e grisi propozimin francez.

“Absolutisht nuk kam ndërmend të ju dëgjoj, ndërsa turpërohem që ndajë të njëjtën hapësirë me ju. Për nderë të bashkëqytetarëve tuaj nga Vatasha, 12 të rinjtë të vrarë, të jua pështy marrëveshjen, edhe gjithçka”, tha ai.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë Parlamentit maqedonas ndërkohë, 70 vota do të shkojnë për propozimin francez, ku të unifikuar në vendim janë edhe deputetët shqiptarë.

Javën tjetër ndërkaq, pritet të zhvillohet edhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe dy vendeve ballkanike, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.