47 kamera sigurie të vendosura nga grupet kriminale, në disa lagjet të qarkut të Durrësit janë çmontuar nga policia, në kuadër të një operacioni mbarëkombëtar, i zhvilluar më parë në Vlorë e në Shkodër. Kamerat e sigurisë të vendosur për sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale dhe për të monitoruar lëvizjet e policisë, ishin montuar nga grupet e të fortëve në Durrës, Shijak, Kruje dhe Nikël.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se 18 kamerat e sigurisë të vendosur në Shijak ishin vendosur nga anëtarë të bandës së Avdyljave dhe konkretisht në lidhje me këtë policia ka vënë nën hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, Albert Muharremin vëllai i Rrumit të Shijakut, Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli), Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali. 18 kamerat ishin vendosur në lagjet ‘Keçe’, ‘Popullore’, ‘Kodër Sukth’ dhe ‘Partizani’.
Në Durrës janë hequr 11 kamera të vendosura në mënyrë të kundërligjshme, në lagjet nr.6 dhe nr.17 dhe për to janë vënë nën hetim Plarent Dervishaj, i shpallur në kërkim si organizator i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Dejvid Karaboja.
Po ashtu 18 kamera sigurie janë çmontuar edhe në Krujë dhe Nikël, të vendosura në shtyllat elektrike dhe që dyshohet se janë vendosur nga grupe kriminale në zonë, por policia po vijon hetimin për identifikimin e personave që i kanë vendosur.
Një ditë më parë në Vlorë, u çmontuan 16 kamera sigurie të vendosura në 6 lagje të qytetit. Kamerat të cilat ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri” ishin të lidhura me aparate celularë të personave të ndryshëm. Operacioni i parë u zhvillua në qarkun e Shkodrës ku u çmontuan 38 kamera spiune në 3 lagje të qytetit. Ndërhyrja u bë në lagjen “Guerrile”, e njohur ndryshe si lagjja “Kiras”, po ashtu me prezencë të grupit të Licëve. Aksioni për çmontimin e kamerave vijoi në lagjen “Kongresi i Përmetit”, apo njohur si zona e “Zdrales” dhe në lagjen “Salo Halili”, njohur si zona e Urës së Thive. Kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë.
Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani. Policia akoma nuk ka arritur të gjurmoj autorët e vendosjes së këtyre kamerave në Shkodër, ndërsa nuk janë gjetur serverat që ruajnë regjistrimet video. Në operacionin e datës 14 janar, policia shoqëroi për t’i pyetur disa persona nga të dyja fiset, Lici dhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë autori. Ata, me deklarimet e tyre para hetuesve, nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vërtet që i kanë montuar në mënyrë të kundërligjshme.