Frrok Çupi/

Gjermania nuk ka akoma qeveri, gjë që nuk ka ndodhur kurrë që në vitin 1949, pas Luftës dhe pas famës së keqe të Adolf Hitler… Kjo ndodhi në epokën e gruas më të fuqishme të botës, Merkel; bash në dorën e saj u duk sikur u thërrmua tërë ai pushtet gjerman. Parmbrëmë natën, e shtunë, një nga partnerët politik të Merkel, kryetar i liberalëve të Partisë Demokratike të Lirë, u largua nga koalicioni; dhe, projekti ra.

Gjermania pësoi shock; por ndërkohë Bashkimi Europian (BE) u ‘zhduk’; as flet njeri, as merr frymë njeri prej asaj ngrehine. Gruaja e fuqishme e Gjermanisë po merr me vete edhe Organizatën ‘BE’ që u krijua kur Angela nuk kishte lindur akoma. Është një nga rastet ‘speciale’ në historinë e politikës kur lidhja e fortë mes ‘të mëdhenjve’- i rrëzon të dy. Merkel po bie për shkak të lidhjeve me BE-në, dhe BE do të ndjekë pas zonjën ‘e fuqishme’ për shkak të lidhjeve me Merkel.

Merkel ra në gropën e ‘mamasë’ evropiane të emigrantëve.

Nuk është kaq e thjeshtë, se vetëm pse bota e tretë nisi ta quajë zonjën Merkel si ‘mama Angela’, por se kësaj politike i shërbeu në aleancë me BE. BE injektoi në shtetet evropiane politikën e ‘kufijve të hapur’ e cila pak nga pak, po e linte Euopën pa europianë. Edhe botën e prapambetur po e deziluziononte, duke i krijuar idenë se “Europa punon për ne”. Për pak- të dy anët e Botës (Europë dhe Botë e Tretë) do të ndërfuteshin në një luftë pa fund. BE u kthye në një ‘bunker’ për të mbrojtur elitat qeveritare të diskredituara, por që mbronin politikën ‘e fshirjes së Europianizmit’. Zonja Merkel, edhe pse konservatore, u kthye në një kujdestare të politikave liberale. Më në fund e pësoi pikërisht nga liberalët. Partia e Christian Lindner, liberale, e la në ‘baltë’ mu në mes të natës konservatoren Merkel. Nuk ka shpërblim më të ‘mirë’ për një udhëheqës që ‘tradhëton’ krahun e vet dhe shërben të tjerët.

Tani çështja e Merkel nuk quhet më ‘BE’.

Të paktën gjatë mandatit të tretë, zonja Merkel është ‘kapur’ në të gjitha pozat e ‘zotit’ dhe të kujdestares ndaj BE. Zonja Merkel i rriti të gjithë ata që janë në ‘kacollen’ BE; që nga Jean- Clasue Junker i cili nga pozitat e ‘kacolles’ kërcënon edhe Amerikën; deri te më i riu- polaku Tusk. Merkel nxori ‘shpatën’ kundër kryeministrit ishullor britanik, Cameron, për të emëruar në krye ‘vetëm zotin Junker’. Kjo ndodhi në mandatin e tretë. Në fillim të mandatit të katërt, zonja Merkel nuk mundi të ndërtojë më as qeverinë e saj; pozita e saj është në pikëpyetje…

E gjithë kjo i erdhi për shkak të ‘lidhjes’ thuajse ombilikale mes zonjës Merkel dhe krijesave të veta në BE. Tani ajo ka hallin e vet. Në momentin kur mori lajmin se bisedimet për koalicionin falimentuan, në atë çast zonja Merkel tha: “Kjo është një ditë reflektimi të thellë se si do të shkojë puna e Gjermanisë”.

Ajo shprehu shpresën se “Gjermania do të menaxhohet mirë gjatë javëve që po vijnë, por kush na siguron se BE do të menaxhohet mirë”. Divorci me BE-në bëhet aty ku u krijua lidhja: Në kufijtë ‘e hapur’, në taktikat e George Soros për të goditur Europën me anë të emigrimit në masë nga vendet e botës së tretë.

Si do të menaxhohet përbrenda BE?

Kjo është çështja që vjen pas Merkel. Ditën e  premte, zonja më e fuqishme kishte në dorë faturën prej 40 miliardë euro nga marrëveshja me Brexit; ndërsa të shtunën iu thërrmua qeveria. BE, sidomos pa Merkel, nuk do të ndërtojë kurrë me asnjë marrëveshje me partnerët e mëdhenj tregtarë. Madje edhe deri sot ka dështuar pa pushim në bisedimet me partnerët për tregjet.

Tani strategët pranë Merkel po bëjnë këtë llogari: Kur zonja e pushtetshme dështoi në negociata me tre- katër partnerë në koalicion, po BE si mund të fitojë në marrëveshje me 27 partnerë?! Partnerët e BE kanë kontestuar thellë pozitat ‘liberale’ dhe të ‘kufijve të hapur’ të BE. Sot, bash sot,  kur dështoi koalicioni i zonjës Merkel, presidenti çek u nis për në Moskë, në takimin me Putin, plot me kritika për BE. Kryeministri hungarez Orban deklaroi sot se ‘po funksionon modeli Hungarez’ jo modeli BE. Spanja ka turbulenca demokratike dhe nuk ka mendje te BE. Greqia pret të dalë. Italia kërkon autonomi më të gjerë në Veri. Franca e penduar për mbështetjen ndaj BE…

Ndërsa hapi i parë është dështimi i negociatave me Brexit, çka është e sigurt…

Merkel po vihet në pikëpyetje për shkak të ‘forcës’ në lidhje të gabuar.

Veritas.com.al/