Ministri i Brendshëm i Greqisë, Johanis Ikonomu është takuar mesditën e kësaj të premteje me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, por ende të pa betuar, Fredi Beleri.

Ministri grek i cili vizitoi dtën e djeshme Tiranën në kuadër të ministerialit të Ministrave të Brendshëm të BE dhe Ballkanit Perëndimor, vizitoi Belerin në ambientet e brendshme të burgut të Durrësit.

Vizita e zyrtarit të lartë grek vjen vetëm një ditë pasi GJKKO në seancën paraprake në ngarkim të Belerit vendosi lënien e tij në burg dhe nisjen e procesit gjyqësor në themel.

Në lidhje me vizitën mësohet se nuk do të ketë një prononcim publik nga ministri i Brendshëm grek.

Beleri mbahet në burg që prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Beleri u ka dhënë 40 mijë lekë të reja 8 qytetarëve për te votuar në favor të tij gjatë zgjedhjeve lokale.

Mbajtja e tij në burg ka sjellë një përplasje me Athinën zyrtare e cila e akuzon qeverinë shqiptare se po emban në qeli politikisht Fredi Belerin për të mos i lejuar betimin si kryebashkiak.