Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar sot se nuk e pengon fakti që Ivanka Trump për një kohë të shkurtër ka zënë vendin e babait të saj, Donaldit, dhe i është bashkëngjitur shefave të shteteve dhe qeverive në njërin nga takimet gjatë samitit G20 në Hamburg- sipas Associated Press.

Më herët një anëtar i delegacionit rus ka postuar në Twitter fotografinë në të cilën shihet se si vajza e Trump qëndron ulur në karrigen e saj, transmeton AP.

Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se Donald Trump ka lëshuar hapësirën, pas së cilës Ivanka ka ndërruar vend kur drejtori i Bankës Botërore ka folur për tema të rëndësishme për fondin e ri për ndërmarrësinë e grave, të cilën ajo e udhëheq.

Kancelarja Merkel u tha mediave se delegacionet vendosin vetë se kush do të ulet në karrige në rastet kur mungon presidenti.  “Ivanka Trump i takon delegacionit amerikan, kështu që kjo është në pajtim me atë çfarë bëjnë edhe delegacionet tjera. Dihet se ajo punon në Shtëpinë e Bardhë dhe ka përgjegjësi për disa iniciativa”, tha Merkel.

Ivanka është vajza më e madhe e presidentit amerikan nga martesa e tij me sportisten dhe foto-modelen Ivana Zeljnickova. Pas zgjedhjes së Donald për president, ajo u bë ndihmëse e tij. Disa politikanë vlerësojnë se ndikimi i saj në presidentin dhe politikën e Shtëpisë së Bardhë është në përgjithësi shumë i madh. Vetë Trump disa herë ka thënë se është krenar me vajzën e tij.

Veritas.com.al/