“Zëri Amerikës” ka botuar në faqen online lajmin se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi sot qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke theksuar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët tjera të rajonit.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, i cili po ashtu tha se një ndryshim kufijsh në Kosovë mund të ketë pasoja për pjesët tjera të rajonit.

Kancelarja Merkel kishte biseduar të hënën me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje. Ajo tha të martën se “i mbështesim përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por e cila ka parasysh tërësinë tokësore”. Pra tha se nuk pranojmë ndryshime territori.

Plenkoviç ka thënë se Kroacia është pro arritjes së një marrëveshje paqësore ndërmjet të dyja vendeve duke thënë se çfarëdo prekje e kufijve do të hapte ‘kutinë e Pandorës’.

Aktualisht janë shtuar debatet rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha që se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ai edhe të martën hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës duke mbrojtur idenë e tij për bashkimin e luginës së Preshevës.

Veritas.com.al/