Me një mesazh shumë të qartë të publikuar në Twitter, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka sqaruar se pas përcaktimit non-grata, asnjë caktim nuk është kthyer pas dhe nuk po përgatitet asnjë falje për këta persona.
Më herët ishte ish-lideri demokrat, Sali Berisha, i cili shprehej se deklarata e Ambasadores Kim për “ngrënien e barit” është ofendim kolektiv dhe meritonte një ndjesë publike.
“Interpretimi i kritikave si sulme nuk është e drejtë, pasi është formë e pastër bullizmi diplomatik”.
Ky ishte reagimi përmes një statusi të postuar në median sociale “Facebook”, i ish-kryeministrit, pas deklaratës së zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price.
Price theksonte se, “Washington-i është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar”.
“Së pari në bindjen time kritikat nuk janë sulme, unë kam kritikuar qëndrime dhe deklarata të ambasadores së Shteteve të Bashkuara, të cilat nuk kanë qenë në përputhje në vlerësimin tim me ligjet e vendit dhe Konventën e Vjenës”, shkruante Berisha.
Nga ana tjetër Yuri Kim ka deklaruar se SHBA-të do të ndërpresin marrëdhëniet me PD-në, nëse kryesimin e saj e merr Berisha.
“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit”.
Sali Berisha bashkë me familjen e tij u shpallën persona non-grata në SHBA.
Ka qenë sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, që bëri me dije vendimin e DASH-it.
Bazuar në këtë vendim, kreu i selisë blu Lulzim Basha e përjashtoi Berishen nga Grupi PArlamentar i PD.