Kryeministri  Edi Rama, i pyetur nga TCH në lidhje me deklaratën e Ilir Metës, i cili tha se kryeministri duhet të bëjë transparencë për çështjen e detit, tha se një gjë të tillë e bën një peshkatar dhe jo një president.

Kreu i qeverisë tha se nuk i jep llogari presidentit se me kë komunikon, megjithëse tha se nuk ka komunikuar me palën greke për çështjen e detit.

Rama gjithashtu nuk la pa ironizuar edhe kryetaren e LSI-së, për të cilën tha se tund tiganin dhe skuq peshkun që kapin të tjerët.

Vasili:Presidenti iu ka kërkuar që të jeni transparent dhe të tregoni çfarë keni folur me ministrin e jashtëm grek apo me Mitsotaqis?

Një president që bën një pyetje të tillë është peshkatar, nuk është president. Ka dalë për të kapur peshk, ja ju jeni grepi, ka dhe peshq atje jashtë. I bën këto pyetje që ju t’mi bëni mua pastaj dhe ja u trazua tenxherja dhe tigani i Monës. Nuk ka punë presidenti me kë flas unë, nuk ka punë, si jap llogari unë atij me kë flas. Por po e them që kam folur dy herë në telefon, mbas tërmetit, më ka thënë çfarë duhet të bëjë unë dhe ka çuar grupin e shpëtimit.

Dhe hera e dytë kur jemi konsultuar për fazën e hapjes gjatë kovidit. Për çështjen e detit nuk kemi folur, nuk e kemi diskutuar. Edhe nëse do kishim diskutuar kjo s’do kishte vlerë fare se duhet të ketë tavolinë, tryezë marrëveshje me grup, jo biseda telefoni. Me qeverinë aktuale s’kemi bërë asnjë debat apo bisedë për detin. Plas peshku këti tek ne, me desperado e karkaleca, me Monikën që tund tiganin dhe skuq peshk. Ka filluar peshkimi, është situatë peshkimi e gjitha kjo”, u shpreh Rama. /Open

VERITAS.COM.AL/