Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka miratuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit “Për Eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë”.

Ky “pëlqim” bëhet i vlefshëm vetëm pas miratimit të projektligjit nga Kuvendi.

Meta ka dhënë miratimin, me qëllim mospengimin e mundësive për përdorimin e instrumentit të eurobondit sipas kushteve më të favorshme.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të shqyrtojnë me shumë vëmendje këtë nismë para miratimit të saj.

Meta ka kërkuar të konsiderohen faktet, të diskutohet dhe të vendoset me transparencë dhe përgjegjësi.

“Sepse kur kemi të bëjmë me një instrument, që jo vetëm duhet trajtuar me kujdes, por edhe duhet përdorur me efikasitet për të mirën e ekonomisë së vendit”, shkruan ai.

Presidenti ka shpalosur disa kërkesa që kanë të bëjnë me shqyrtimin e të gjitha të dhënave.

Mbledhja e radhes e Kuvendit te Shqiperise do te kete ne rendin e dites votimin e projektligjit per Eurobondin.

Eurobondi

Lajmin fillestar se Shqipëria ishte gati për të emetuar Eurobondin e radhës, e dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, më 13 tetor.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj zbardhi pikërisht vendimin mbi daljen në tregje ndërkombëtare.

Sipas Ibrahimajt, ky projektvendim i Qeverisë vjen me qëllim garantimin e financimit të deficitit në Shqipëri.

(Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj)

Eurobondi i radhës pritet të jetë në shifrat nga 500 deri në 700 milionë euro.

Eurobondi i fundit i emetuar ishte 650 milionë euro, më 9 qershor 2020. Kuponi asokohe ishte prej 3.65% me një afat maturimi shtatë-vjeçar. Këtë herë, shifra mund të shohë rritje.

Hyrja në tregje tani, bëhet me arsye për ta emetuar atë menjëherë, në çastin kur interesat janë më së shumti të ulëta, siç e ka përkufizuar më parë edhe vetë ministrja./AP/