Presidenti Ilir Meta nuk do ta ketë aspak të lehtë që të fusë në kaos sistemin e drejtësisë dhe të bllokojë Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Gjykatën e Lartë.

Ditën e 18 gushtit hyri në fuqi ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, i cili i heq presidentit Ilir Meta të drejtat e betimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ekskluzivitet të cilin e gëzonte deri më dje. Më konkretisht, në ndryshimet e bëra në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, thuhet qartë se kreut të shtetit i hiqet e drejta e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi këta të fundit mund të bëjnë këtë veprim në institucioni e emërtesës, sikundër ndodh në rastin e Gjykatës së Lartë.

Hyn në fuqi ligji, Meta asnjë shans të bllokojë SPAK

Më konkretisht, nëse deri më dje ishte presidenti që iu jepte dritën jeshile anëtarëve të kësaj gjykate, ndërsa me ndryshimet e reja, këtë ekskluzivitet e merr Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas asaj që thuhet në ligj, anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin në Presidencë, pas përfundimit të këtij afati, por ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke u emëruar anëtar.

“Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë që përzgjidhet mes juristëve të spikatur fillon në ditën e betimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit ose e shpalljes i emëruar.

Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Data e ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Akti i betimit përfshihet në dosjen personale të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë; Mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që ngrihen në detyrë nga radhët e gjyqtarëve fillon në datën e emërimit ose shpalljes i emëruar”, thuhet në ligj.

Po ashtu, edhe për prokurorët e SPAK do të ndiqet e njëjta procedurë, pasi ata mund të betohen në institucionin e emërtesës, duke e marrë mandatin që sapo emërohen, duke mos pritur që të shkojnë tek Presidenti i Republikës. “Mandati i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme fillon në datën e ngritjes së tyre në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në ligj.

Meta “izolohet” totalisht

Por hyrja në fuqi e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duket se e ka nxjerrë jashtë loje institucionin e presidentit. Deri më dje pa u bërë këto ndryshime, Presidenti i Republikës ishte kreu i KLD dhe kishte rol kyç në sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi ai emëronte prokurorët, përmes KLD kontrollonte gjyqtarët dhe kishte akses në Gjykatën e Lartë, bënte shpalljen e garës për gjyqtarët dhe prokurorët, ishte institucioni që iu jepte bekimin gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërkohë që, me ndryshimet që janë votuar, Meta nuk i gëzon më këto ofiqe.

Pra, përmes këtyre ndryshimeve ligjore, mazhoranca e izoloi dhe e nxori përfundimisht jashtë loje nga sistemi i drejtësisë presidentin Ilir Meta. Thënë ndryshe, mazhoranca me miratimin e këtij ligji “vrau” dy zogj me një gur, pasi nga njëra anë i “lidhi duart” Metës, ndërsa nga ana tjetër, iu dha frymëmarrje institucioneve të reja, në mënyrë që ata të mos asfiksohen në rast se presidenti heziton që të zbatojë ligjin për betimin e magjistratëve./ Ekskluzive/

VERITAS.COM.AL/