Koment/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta është paraqitur sot për shpjegime në Komisionin Parlamentar ‘meta’ kur plotësohet dosja për shkarkimin e tij nga Kuvendi. Një nga akuzat ndaj presidentit, e cilësuar edhe si ‘shkaktare për konflikt civil’ në Shqipëri, është anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit.
Presidenti Meta, nuk dihet për ç’arsye, menjëherë pas pyetjes mbi ‘anulimin’ tha se e bëri në ‘dobi të stabilitetit’, duke zbuluar një ‘sekret’ të tmerrshëm. Ai tha se kishte informacione se në 8 qershor, ditë kur opozita kishte planifikuar të zhvillohej një nga protestat e dhunshme, ‘ishte planifikuar që të digjej selia e Kuvendit’.
Sipas Metës, duke anuluar zgjedhjet iu ka bërë qejfin zjarrvënësve të opozitës dhe ata janë tërhequr nga akti kriminal. Sipas Metës, ky akt kriminal do të përbënte ‘një ngjarje e cila mund të prodhonte pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit të vendit tonë që me aq ngjarje që ishin bërë deri në atë moment ishte shkatërruar’, siç deklaroi Meta.
Me siguri, deklarata sot e Presidentit para Komisionit është bërë në kushtet e frikës dhe panikut për të shpëtuar nga shkarkimi, por në fakt ka pasoja shumë të rënda për vetë Presidentin.
Tanimë, edhe sikur presidenti të mos kishte akuza të tjera që meritojnë shkarkimin, duhet të përgjigjet penalisht para ligjit se ‘kush e informoi’ për djegien e vendit?, ‘pse nuk mblodhi organet e sigurisë dhe nuk alarmoi qeverinë’, për aktin e tmerrshëm; ‘cilët janë zjarrvënësit dhe kriminelët që tentuan djegien e vendit?’, etj.
Zoti Meta, me deklaratën e tij ka shkaktuar panik dhe pasiguri në publik. Ai dëshmon nga pozitat e kreut të shtetit se në vendin tonë ka organizata të rrezikshme terroriste që janë gati t’i venë zjarrin Kuvendit ose më gjerë. Presidenti nuk tregon se çfarë është bërë me organizatën terroriste, ku janë anëtarët dhe liderët e tyre; a ka garanci se në çdo moment terroristët nuk do të djegin vendin?.
Prokuroria duhet të nisë sot hetimin kryesisht mbi Ilir Metën, o për kallëzim të rremë, o për fshehje të krimit ose për të dëshmuar kriminelët dhe zjarrvënësit e vendit…
VERITAS.COM.AL/