Mimoza Paja, e cila mbeti viktimë në masakrën e Don Boskos një natë më parë, jetonte me qira pranë lokalit të Fatjon Muratit. Paja punonte për të rritur mbesën e saj. Ishte rritur jetime bashkë me dy motrat e vëllain e vetëm pasi prindërit e lanë në moshën 5-vjeçare. Gazetarja Klodiana Lala shkruan se ajo jetonte me mbesën 10-vjeçare që u lëndua një natë më parë në të njëjtën ngjarje dhe me djalin e saj, Saimir, i cili ishte divorcuar nga bashkëshortja.

Na fal Mimoza që s’të mbrojtëm dot! Mimoza Paja u qëllua pa mëshire nga një dorë kriminale mbrëmjen e së dielës në zonën e Don Boskos në Tiranë. Një masakër e tmerrshme me 1 te vrare e gjashte 6 plagosur. Klithmat mbesës 10-vjecare teksa thërriste nënën, tronditen zonën. E vogla mbeti e lënduar nga ciflat e xhamave qe u shpërndanë.

Ndërsa Mimoza, 60 vjeçe gjyshja e saj e dashur, mbeti pa jete. Aty në derën e lokalit ku punonte si banakiere, lokal në pronësi të një emri të njohur të botës së krimit: Fation Murati! Që do duhej të ishte në burg, jo në vilën e tij luksoze. Moza siç e thërrisnin të gjithë kishte patur një jetë të vështirë. Të trishtë. Në moshën 5-vjeçare, ajo, dy motrat dhe vëllai mbetën jetime. U rriten me shumë vështirësi. Ajo sikurse dhe motra e vëllai krijuan jetën e tyre. Moza solli në jetë 3 vajza dhe 1 djalë. Dukej sikur gjithçka në jetën e saj po shkonte më së miri. Por jo. Humbja e vëllait të vetëm do ta trondiste shumë. Dhimbje që nuk e kaloi kurrë.

“Ah sa vuajti” kujton mes lotësh një e afërme e saj. Vitet e fundit ajo nisi pune si banakiere. Ndërsa u zhvendos me qira vetëm 10 metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.

‘Si ua bëri zemra ta qëllonin- vijon me tej e afërmja- për bukën e gojës punonte’. Moza është viktima e radhës e pafajshme që ekzekutohet nga vrasës gjakftohte të cilët nuk kursejnë askënd. Nuk kursyen as Mozën, atë grua fisnike që rropatej për të rritur mbesën, e cila po rritej nën kujdesin e gjyshes pas divorcit të prindërve dhe martesës së nënës me një shqiptar të Kosovës.

Atë grua që mbylli sytë me një peng të madh, që la pas një vajzë të vogël që me gjasë s’do mundet ta harrojë kurrë  tragjedinë që i ndodhi në pak sekonda para syve. Që pa gjyshen të pa jetë e të mbuluar nga gjaku. Mimoza, na fal që s’të mbrojtëm dot.

 Fation Murati duhet të ishte ne burg. Sepse nëse shteti do e kishte kyçur ne qeli, mbase sot ti do ishe gjalle. Ai u lirua. Drejtësia i mbylli sytë, edhe pse dinte kush ishte ai, edhe kur e shpalli në kërkim për masakrën te mbikalimi i Fushe Krujës ku viktima mbeten Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha.

Se shpjegoj dot si mundi të dalë. Sepse ai u arrestua për një arsenal armësh. Por mesa duket për të fortët të tërë mbyllin një sy e një vesh. Fation Murati ndodhej ne vilen luksoze kur ti rropateshe duke larë gotat në banak e pranë teje rrinte mbesa jote. Plumbat mbi trupin tënd janë plumba që na kanë vrare sot të gjithëve. Ne fal Mimoze që s’të mbrojtëm dot! Të gjithë jemi fajtore.

Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona me motorë qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.”-shkruan Lala.