Ministeriali i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit është mbledhur në Tiranë ditën e sotme, takim ky që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit të hënën e 16 Tetorit.

24 delegacione nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE-së janë pjesë e këtij ministeriali që drejtohet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.

Pas hapjes së ministerialit nga ministri Hasani në tryzën e përbashkët, liderët bënë foton familjare.

Por ajo që ra në sy ishte mungesa në këtë foto e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili kishte zhvilluar një takim kokë më kokë me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, përpara fotografisë familjare.

Raportohet se ministri seb Daçiç bojkotoi foton familjare pasi ka patur debat mes tij dhe ministres së Jashtme gjermane në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe sulmit nga grupi paramilitar serb.

Punimet e ministerialit do të vijojnë me dyer të mbyllura dhe pas mesditës do të ketë konferencë të përbashkët për shtyp.