Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka raportuar në Komisionin e Sigurisë gjendjen e rendit në vend dhe ngjarjet kriminale të ndodhura së fundmi.

Ai ka theksuar se janë kapur 17% më shumë persona në kërkim kombëtar në periudhën janar-gusht të këtij viti, më shumë se vitin e kaluar.

“Ju kërkoni informacion për ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës, për të cilat keni shpjegime të detajuara në materialin që dispononi.

Është e vërtetë që në muajin gusht të këtij viti pati një rritje të veprës penale “vrasje”, krahasuar me muajt e tjerë. Por në analizë të treguesve të 8-mujorit, dua t’ju konfirmoj se jemi pothuaj në të njëjtat parametra me vitin e kaluar, që ka shënuar numrin më të ulët të vrasjeve në 3 dekadat e fundit.

Mbrojtja e jetës dhe e sigurisë së qytetarëve është detyra kryesore dhe e padiskutueshme e Policisë së Shtetit. Prandaj, çdo statistikë, sado pozitive të jetë, mbart në vetvete një peshë, një përgjegjësi për secilin nga ne, pasi siguria kërkon përpjekje gjithëpërfshirëse nga çdo segmet i shoqërisë.

Përgjatë periudhës Korrik-Gusht 2024 kanë ndodhur gjithsej 12 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje.

Kjo padyshim është dëshmi e një pune të mirë të strukturave të policisë.

Sa i takon vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.

Arrestimi i personave të kërkuar nga organet e drejtësisë

Një nga çështjet e parashtruara nga ju është dhe numri i ulët i personave të arrestuar.

Dua të saktësoj se, numri i personave të arrestuar, krahasuar me një vit më parë është më i lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar, dhe për ata në kërkim ndërkombëtar.

Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17% më shumë.

Për personat në kërkim ndërkombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024 janë kapur 61 më shumë se vitin e kaluar, ose 43% më shumë.

Është e rëndësishme të theksoj se, kapja e personave në kërkim ndërkombëtar është rezultat edhe i bashkëpunimit të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere dhe organizmave të tillë, si Interpol dhe Europol.

Vetëm gjatë këtij viti, Policia e Shtetit është e përfshirë në rreth 20 skuadra të përbashkëta hetimore dhe në 81 operacione policore me homologet e vendeve të BE-së dhe më gjerë.”, tha ndër të tjera Hoxha.