Nga: Laert Skiro/
Mbaj mend një reportazh të BBC , publikuar gjatë periudhës së nxehtë kur kërkoheshin kriminelët e luftës në Serbi, sidomos Karaxhiq dhe Mlladiq. Në fshatin e lindjes së Radovan Karaxhi, Petnjica, ku gazetarja e BBC u ndodh për reportazhin, bashkëfshatarët këndonin një këngë. Kënga thoshte, nga fillimi në fund, se “Fshati ynë nuk ka tradhtarë”. E bënin me qëllim që askush në fshat të mos tradhtonte Radovanin…
Më erdhi në mëndje e njëjta gjë, kur ministri italian i Punëve të Brendshme, Marco Minniti. Ai tha në Pallatin e Kongreseve se “në Europë, në Itali dhe në Shqipëri nuk ka më kriminelë të pandëshkueshëm”. E tha në një vend ku nuk ndëshkohen kriminelët siç është Shqipëria; njësoj si në fjalën e urtë: “Në shtëpinë e të varurit mos përmend litarin”.
Bën ironi me shqiptarët ministri italian, apo flet ‘kodra pas bregut’. Këtu askush nuk ndëshkohet, sidomos kriminelët dhe qeveritarët. Ministri i Brendshëm, Tahiri, u kap si anëtar i një bande kriminale dhe u mbrojt nga Partia në Kuvend?
Apo ministri italian e ka alegorinë si fshatarët e Karaxhiq, se ‘mos guxoni të mos i ndëshkoni kriminelët’. Ata këndonin: “Në fshatin tonë nuk ka tradhëtarë’, por e bënin me qëllim që asnjëri të mos guxonte të tradhëtonte.
Ministri i Brendshëm italian Marco Minniti, që nga takimi në Pallatin e Kongreseve ka përcjellë një mesazh në kuadër të operacioneve kundër trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë prezantimit të rezultateve të raportit të monitorimit nga ajri për vitin 2017, ministri italian theksoi se Shqipëria dhe Italia duhet të godasë trafikantët e drogës dhe “të paprekshmit”.
“Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha të trafikut të drogës dhe të ashtuquajturit të paprekshëm, që i mbrojnë ata. Pasi në Shqipëri dhe Itali nuk ka të paprekshëm. Besoj se ky është një objektiv i rëndësishëm për realizimin e të cilit duhet të punojmë së bashku. Nga pikëpamja operative dhe shkencore, ky bashkëpunim mes dy vendeve tona, ka dhënë rezultatet të rëndësishme”, – tha ministri italian Minniti.
Veritas.com.al/