Ndërsa PD vijon takimet elektorale ne Korce duke shkelur rregullat anti COVID, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke e quajtur sjelljen e kryedemokratit Lulzim Basha një këmbëngulje djallëzore që po rrezikon shëndetin e qytetarëve nga COVID. Sipas kryeministrit qytetarët po keqpërdoren në mënyrë mizerable për fushatë.

“‘Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore’, thoshin latinët. Kjo këmbëngulje prej shejtan-budallai në fajin e kërcënimit të shëndetit të njerëzve për interesin mizerabël të një fushate edhe më mizerabël, me makina, bori, zhurmë e turmë, duke bërë përshesh në çdo shesh, është një djallëzi prej njerëzish pa vizion, pa karakter, pa përgjegjësi e as fije njerzillëku”, shkruan Rama.

Duke përmendur që sot vijon dita e 4 e vaksinimit masiv në të gjithë vendin, kryeministri Rama i ka quajtur takimet e Bashës faj të shëmtuar të infektimit masiv me COVID. Në fund Rama shkruan se uron që qytetarët që kanë marrë pjesë në takimet e Bashës ku nuk janë respektuar masat anti COVID, të mos përfundojnë spitaleve.

*Sot në Tiranë, ku vazhdon vaksinimi masiv e në Korçë, ku u krye një tjetër faj i shëmtuar infektimi masiv. (Lus Zotin që për dy a tre javë që i duhen virusit të kapë rrugët e frymëmarrjes, këta njerëz të verbër e të keqpërdorur, të mos përfundojnë spitaleve për mullaqet e Lulëzimit e për mustaqet e Saliut”, vijon Rama.

Kryeministri sot ka qenë edhe në Shkodër ku teksa ka ndjekur procesin e vaksinimit në qendra shëndetësore, u shpreh i bindur se duke u bazuar në ecurinë e procesit, objektivi për të vaksinuar gjysmë milionë shqiptarë brenda majit, mund të tejkalohet.

VERITAS.COM.AL