Shefja për politikën të Jashtme të BE-së, ndodhet në Tiranë ‘për të festuar edhe Ditën e Europës, siç tha ajo. Federica Mogherini mbajti një konferencë për shtyp ku i ka dhënë gjithë mbështetjen e saj kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve shqiptare. Gjatë konferencës për media me kryeministrin, Mogherini deklaroi se Shqipëria ka sjellë rezultate konkrete me reformat, duke përmenduar atë në drejtësi, për të cilën tha se vendi është shembull edhe për vende anëtare të BE-së.

Për Mogherinin Shqipëria duhet ta marrë çeljen e negociatave por se tani është në dorën e vendeve anëtare.

Ajo iu ka kërkuar palëve politike të jenë të bashkuara për të marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave dhe t’i lënë mënjanë ndasitë. Madje Mogherini theksoi se qytetarët nuk duhet të privohen nga zgjedhjet vendore, duke iu referuar atyre të 30 qershorit.

“Për mua kënaqësi që jam kthyer në Tiranë, kënaqësi që takohemi pas Berlinit. para një viti kam qenë në vizitën e fundit. Mbaj mend dhe emocionet për të sjellë lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv që kishte miratuar KE. Pikërisht në këtë sallë ju përgëzova ju si kryeministër, por dhe të gjitha institucionet.

Ju keni arritur ta konsolidoni këtë ecuri dhe vazhdoni të tregoni rezultate konkrete të reformave. Dëshiroj t’ju përgëzoj për punën që keni bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju po kaloni tashmë një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Transformimi jo vetëm për të kënaqur institucionet e BE-së por pritshmëritë e qytetarëve.

Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon. Ju keni arritur që të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull dhe për disa shtete anëtare të BE-së në një proces që nuk ka qenë i lehtë. Vettingu ka sjellë rezultate të prekshme.

Ne e shohim se sa krenarë janë qytetarët për këtë reformë. 80% e qytetarëve e mbështesin këtë reformë’, tha Mogherini

Veritas.com.al