Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, ka reaguar pas mbrojtjes publike që Kryeministri Edi Rama i bëri ish-ministrit të tij Saimir Tahiri. Kryemadhi deklaroi me një mesazh në rrjetet sociale se ‘i frikësuari i drejtësisë Edi Rama doli sot të mbrojë – por edhe të shesë sipas interesit – bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës Saimir Tahirin”, duke i kujtuar atij se Reformës në Drejtësi nuk do t’i shpëtojnë as peshqit e mëdhenj të politikës.

“Këshilltarët dhe miqtë e tij të besuar, – shkroi Kryemadhi, –  gati gati e kanë bindur Edi Ramën se ai nuk ka gisht në kanabizimin e Shqipërisë, duke harruar se frika e Edi Ramës është më e madhe se çdo parim apo miqësi e tij. Sulmi i sotëm i paprecedent ndaj atij, që deri pak javë më parë tundte flamurin e Reformës në Drejtësi, është shenjë e qartë e aktrimit politik dhe paaftësisë për të kuptuar se, kësaj reforme, nuk i shpëtojnë dot as peshqit e mëdhenj të politikës.

Edi Rama gabon kur dëgjon këshilltarët e tij se artificat në ligjet e Reformës në Drejtësi mund ta shpëtojnë atë nga drejtësia. Por si njeri i pa thelluar nxitohet të deklarojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij si të pafajshëm, duke sulmuar të vetmin organ ligjzbatues që fakton lidhjet e tij direkte me botën e krimit.

Qëndrimi i tij personal dhe i Grupit parlamentar të PS nuk është asgjë më shumë vetëm se ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do të sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë. Sepse më mirë se të gjithë, Edi Rama e ka të qartë që opozita nuk është më çështje kartonash të blerë me paratë e krimit, por çështje fryme dhe vullneti që do të sjellin shumë shpejt largimin e bandave nga pushteti.”

Veritas.com.al/