Nga Astrit Patozi
Fatmir Mediu tha sot në mesditë se Luli pretendon që është i gatshëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por këtë gjë nuk e do Edi Rama. Deklarata erdhi vetëm disa minuta, pasi kishte dalë nga godina e Partisë Demokratike në një mbledhje së bashku me aleatët e tjerë më të vegjël të Lulzim Bashës.
Pothuajse në të njëjtën çast Damian Gjiknuri po thonte para kamerave se nuk kishte asnjë propozim nga Partia Demokratike për sistemin dhe se partia e tij rezervonte të drejtën të fliste e fundit për këtë çështje.
Ky i fundit foli menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së fundit të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ku me sa duket ishte debatuar për gjithçka tjetër, përveçse për sistemin.
E vetmja vlerë që ka ballafaqimi i këtyre deklaratave është për të kuptuar se i vetmi shqetësim, që kanë sot dy partitë më të mëdha në Shqipëri është se si t’ia lënë në prehër njëra tjetrës kopilin e mosndryshimit e ndoshta edhe dështimin e plotë të reformës zgjedhore, në rast se pazari i fundit nuk do t’i pëlqejë njërës palë.
Por po lodhen kot, sepse e kanë të pamundur të gënjejnë kaq shumë sy, që po ndjekin me vëmendje edhe lëvizjen e tyre më të imët, teksa gjenden nën dritën e fortë të të gjithë projektorëve vendas e të huaj.
Fakti që kanë frikë ta marrin përsipër mosndryshimin dhe ruajtjen e statuskuosë do të thotë se janë plotësisht të vetëdijshëm se po bëjnë gjënë e gabuar, por thjesht u duhet të fshihen pas njëri-tjetrit, qoftë edhe për të fituar kohë. Ndoshga ngaqë e dinë se vrasjet me paramendim dënohen, në rastin më të mirë dyfishin e krimeve spontane, dhe se ato nuk falen dhe as nuk amnistohen ndonjëherë.
VERITAS.COM.AL