Dita e enjte ka nisur me një erë të fortë, por me temperatura relativisht të larta. Në bregdet, parashikohet që temperaturat gjatë ditës të jenë 12-17 gradë celsius, në zonat fushore 9-16 gradë celsius, ndërsa në ato malore 3-10 gradë celsius.
Në mesditë kemi rënie të lehtë prej 2 gradësh të temperaturave në vend, për shkak të pranisë së vranësirave dhe reshjeve.
Gjatë pjesës së parë të ditës reshjet do të jenë më të pranishme në veri dhe veriperëndim të vendit, ndërsa më të pakta do të jenë në Ultësirën Perëndimore. Por nga mesdita, reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit, me rrebeshe të rralla pas mesnate.
Të premten situata do të ndryshojë, pasi sasia e reshjeve do të shtohet, ndërsa do të ulen ndjeshëm edhe temperaturat.
Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, foli për përmbytjet e mundshme që parashikohen në territor për shkak të reshjeve. Sipas tij, situata është nën kontroll, por megjithatë të gjithë duhet të bëjnë kujdes.
“Disa probleme janë shfaqur në Qarkun e Shkodrës sa i takon infrastrukturës rrugore, ku ka pasur rrëshqitje gurësh, inertesh për të cilat po punohet për pastrimin e tyre. Në disa zona ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe po punojnë për rikthimin sa më shpejt të situatës në normalitet. E përsërisim thirrjen për të gjitha bashkitë që të marrin masa për paralajmërimin e popullatës, veçanërisht në ato zona ku paraqitet rrezik për fatkeqësi natyrore, evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të banorëve në rast nevoje. Duhet të përgatitemi për të pasur kapacitetet e nevojshme”, tha Peleshi.
Era e fortë shkul pemët dhe ndërpret energjinë në disa zona të Juglindjes
Era e fortë ka shkaktuar probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike në disa zona të Juglindjes, si edhe ka shkulur pemë në qytetin e Korçës. Ndërprerje të energjisë elektrike ka në bashkinë Pustec, Bashkinë Devoll, Njësinë Adminstrative Vithkuq, bashkinë Korçë, Leskovik, bashkinë Kolonjë, në zonën e Gorës, në Pirg bashkia Maliq, në zonën e Mokrës bashkia Pogradec.
Grupet e punës të OSSHEE dhe Agjencitë Elektrike në rrethe janë në terren për riparimin e defekteve. Problematika të tjera nga bashkitë nuk raportohen. Rrugët nacionale kanë qenë pa probleme, po ashtu edhe në rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki nuk raportohen problematika. Gjatë natës në territorin e qarkut Korçë ka patur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat janë shoqëruara me erë të fortë.
Moti i keq pushton edhe jugun, monitorohet niveli i Vjosës
Si pasojë e erërave të forta që janë regjistruar gjatë natës, e cila akoma vazhdon të jetë e fuqishme dhe tani kemi mungesë të furnizimit me energji elektrike në zonën e Pus Mezinit, në Orikum, Dukat, Llogara, Radhimë, Kallarat, Bolenë, Vranisht, Mesaplik, Tërbaç, Brataj, Velç, Bashaj, Sevaster, Gorisht, Dushkarak, Mazhar.
Sipas autoriteteve, po punohet për t’i vënë në punë sa me shpejt, ndërkohë që të gjitha zonat e tjera furnizohen me energji elektrike normalisht.
Situata në Vlorë ka vënë në vështirësi edhe shpendët
Po monitorohet gjithashtu edhe niveli i lumit Vjosë, i cili arriti mbrëmë deri në 6.30 metra, duke dalë nga shtrati në disa pjesë, ndërkohë që dhe sot sërish është rikthyer në shtrat, në nivelin 5.80 centimetra, megjithatë do mbahet në monitorim, pasi pritet të ketë rritje të prurjeve pas orës 14:00.
Shkollat në Bashkinë e Vlorës e Himarës nuk kanë pasur, fatmirësisht, problematika për shkak të reshjeve, me përjashtim të shkollës së Dukatit, e cila nuk ka energji elektrike.