Bora e dendur dhe akulli kanë mbuluar Europën veriore ndërsa priten paralajmërime të tjera të motit, duke shkaktuar probleme udhëtimi dhe transporti.

Temperaturat në Londër pritet të bien në -3.5C të enjten, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për reshje të dendura të borës në Skoci. Qindra shkolla në Skoci janë ende të mbyllura, disa për të katërtën ditë, mes paralajmërimeve për mot të keq në shumë zona të Mbretërisë së Bashkuar.

 

Britania e Madhe shënoi natën më të ftohtë të dimrit të martën, kur temperaturat shkuan në -14 gradë Celsius në Dalwhinnie. Ndonëse gjatë natës temperatura nuk ka arritur nivelin e parashikuar prej -18 gradë Celsius, i ftohti pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, banorët e Gjermanisë qendrore nga rajoni i Këlnit deri në Turingi janë paralajmëruar për reshje bore të vazhdueshme dhe ndonjëherë të dendura.

 

Rajoni i Gjermanisë është prekur që prej ditës së djeshme nga moti i keq. Gjatë natës, qindra makina u bllokuan në autostradat në Hesse dhe Rheinland-Pfalz për shkak të borës së madhe dhe rrugës së lagësht.

Ekuipazhet e urgjencës u siguruan shoferëve batanije dhe pije të ngrohta, tha policia. Probleme priten edhe sot në aeroportin e Frankfurtit, ku shërbimet përkatëse kanë këshilluar pasagjerët të kontrollojnë fluturimet e tyre dhe nëse anulohen, të mos shkojnë në aeroport.

Në shumë zona të Bavarisë dhe Hesse, shkollat ​​janë ende të  mbyllura. Moti i ashpër ka prekur edhe rajonin nordik, ku temperaturat pritet të shkojnë deri në -23.5C në Oslo të premten.

Një stuhi që preku Norvegjinë dhe Suedinë të mërkurën paralizoi pjesë të rrjetit të transportit dhe tani ka mbërritur në Finlandë. Në rajonin verilindor të Lorraine të Francës, zyrtarët lëshuan një alarm portokalli për shira të dendur dhe borë.

Gjithashtu janë raportuar shumë aksidente trafiku dhe është prekur transporti publik. Meteo France paralajmëroi të mërkurën më shumë rreshje bore dhe shi në pjesën më të madhe të verilindjes së vendit.

Dhe rajoni jugor i Belgjikës së Luksemburgut është gjithashtu në alarm të kuq për shkak të ngricave që kanë ndikuar në trafikun rrugor.