Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kanë nevojë për mbështetje politike, sa i takon aktakuzave për krime lufta nga ana e Prokurorisë së Hagës, duke shtuar se përtej kësaj, ata janë të vendosur në anën e drejtë të historisë.
Aktakuzat në fjalë, Rama i cilësoi si shenjë barazimi mes xhelatit dhe viktimës të luftës së Kosovës.
“Një ndërmarrje barbarie shtetërore, e orkestruar nga Millosheviçi dhe rrethi i tij vrau 10 mijë civilë të pafajshë , dhunoi 20 mijë gra të pambrojtura dhe nxori me dhunë ushtarake dhe paraushtarake 1 milion shqiptarë nga Kosova brenda pak javësh. Nuk po u hyj llogarive të dëmeve psikologjike dhe materiale. Tani që flasim dhe lexojmë aty një njoftim që flet rreth 100 viktima, si mund të jetë një njoftim ku bëhet fjalë për të paralajmëruar një aktakuze për dy udhëheqës të një luftë të njohur botërisht si çlirimtarë dhe flitet me rreth, rreth 100. Po pse jo rreth 1000 apo 50; pra në të njëjtën kohë që shkruhet kjo në nëntokën e Serbisë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe në këmbim të kërkesës për drejtësisë të marrin nga mbitoka e botës demokratike vetëm heshtjen e mjerimit mijëra trupa të pajetë shqiptarësh. Është e pashmangshme të mos kujtohen më zë të lartë historitë e mizorive të kryera ndaj popullit në Kosovë dhe historia e drejtësisë së munguar historike në Serbi,; nuk kalohet kjo me deklarata si ato qëndrimet në autobus, këtu nuk është fjala për të dalë kundër drejtësisë, këtu është fjala për të thënë të drejtën e vërtetë, të thjeshtë, kumbuese. Në fund të ditës të gjitha këto karrige prej druri nuk kanë asnjë vlerë, ka vlerë sa përdoren për të thënë të vërtetën, e cila në momente të caktuara mund të mos u vijë përshtat shumë miqve të mirë dhe të mëdhenj, më vjen keq në këtë rast.”