Liderët e NATO-s kanë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme sa i takon përballjes më Rusinë.
Në Madrid po mbahet Samti i NATO-s dhe Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ka dhënë detaje nga disa prej vendimeve të marra.
Së pari NATO do të rrisë grupet ushtarake në pjesën lindore të aleancës. Forca e reagimit do të transformohet tërësisht dhe numri i trupave do rritet nga 40 mijë në 300 mijë.
Po ashtu, do të rritet niveli i armatimit. Në Lindje do vendosen shumë sisteme armatimi kryesisht mbrojtje ajrore, sidomos për disa aleatë të veçantë që mund të rrezikohen nga Rusia.
Po ashtu, udhëheqësit e NATO-s kanë shpallur një “koncept strategjik” të ri, ndërsa Moska është cilësuar si “kërcënimi më i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e aleancës”.
“Po ashtu, NATO ka ftuar Suedinë dhe Finlandën të bëhen anëtarë të aleancës ushtarake. “Pranimi i Finlandës dhe Suedisë do t’i bëjë ata (aleatët) më të sigurt, NATO-n më të fortë dhe zonën euro-atlantike më të sigurt. Aleanca premtoi ndihmë të mëtejshme për Kievin dhe ra dakord për një paketë mbështetjeje që synon modernizimin e sektorit të mbrojtjes së vendit”, thekson deklarata.
Jens Stoltenberg tha se në të ardhmen NATO-s do të duhet të shpenzojë më shumë dhe kështu objektivi i shpenzimit të 2% të PBB-së për mbrojtjen do të shihet më shumë si një dysheme dhe jo si një tavan financimi.
“Sot, liderët e NATO-s morën një vendim historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë të bëhen anëtarë të NATO-s. Marrëveshja e arritur mbrëmë nga Turqia, Finlanda dhe Suedia i hapi rrugën këtij vendimi. Do të doja të falënderoja Turqinë, Finlandën dhe Suedinë që pranuan ftesën time për t’u angazhuar në negociata për të gjetur një rrugë të bashkuar përpara.
Kjo ka qenë punë e vështirë për shumë javë, me kontakte të shumta në nivele të ndryshme. Zyrtarët e lartë kanë rreth dy raunde bisedimesh në Bruksel, nën kujdesin tim, dhe mbrëmë arritëm të arrijmë marrëveshjet përfundimtare”, tha ai.
Nga ana tjetër vetë presidenti amerikan Joe Biden tha se SHBA do të shtojë numrin e forcave në Europë.
“Po njoftoj sot se Shtetet e Bashkuara do të përmirësojnë situatën e forcave tona në Europë dhe do t’i përgjigjen mjedisit në ndryshim të sigurisë, si dhe do të forcojnë atë kolektive. SHBA-të po krijojnë një seli të përhershme në Poloni, do dërgojnë dy skuadrilje shtesë avionësh luftarakë F-35 në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të nisin më shumë mbrojtje ajrore e kapacitete të tjera në Gjermani dhe Itali“, tha Biden.