Është ndarë nga jeta më 13 shkurt 2019, në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti.

Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re.

Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi si lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd.

Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar. Fushat kryesore të interesimit të tij shkencor kanë qenë studimet e dialekteve nga pikëpamja diakronike, raportet e shqipes me gjuhët fqinje, në rrafshin e studimeve ballkanologjike, trajtimi i dokumenteve të hershme gjuhësore, shkruar me alfabet arabo-turk etj.

Është marrë dhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe dhe ka organizuar takime e konsulta gjuhësore për të kërkuar zgjidhjet e përhershme rreth njësimit të gjuhës shqipe. Prof. Ajeti ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes. Veprimtaria  e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Veritas.com.al/