Eshtë ndare nga jeta në moshën 86-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarë shqiptarë, Paulin Preka. Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj intergrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.

Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.

Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë. Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur.

Janë vitet e para pas Çlirimit të cilët ndikuan edhe në gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, ku shpesh edhe në moshë të re, rinia do të ishte pjesëmarrëse në çdo ndërmarje ekonomike. Kështu, që në vitin ’52 për këto arsye edhe Paulini në moshën 17 vjeçare filloi punë në një ndërmarje të qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Në fund të vitit 1954 u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pso jo edhe si aktor deri në fund të shërbimit në vitit 1956.

Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim drurit, pasditeve aktivizohei në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Atë vit kjo trupë shfaqi dramën “Rinia e Baballarëve”, një dramë që zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë iu besua një rol me peshë mjaft të madhe, të cilin e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.

Trupa teatrore është krijuar që në vitin 1949, por shfaqiet e saja do e gjejnë vehten në kushte komode në kohën kur kjo trupë do të interpretojë në skenën e Teatrit “Migjeni” që deri në ditët tona do të ishte një tempull legjendar i artit dhe i kulturës.

Duhet theksuar se trupa amatore e Shtëpisë së Kulturës, në vitin ’57 vë në skenë një komedi brilante që mirëpritet me duartrokitje në një turne në qytetet kryesore të vendit, duke u bërë kështu bërthama e trupës së ardhshme profesioniste të teatrit “Migjeni” dhe premisa e teatrit të estradës që nuk do të vononte të jepte shfaqet e para në këtë teatër.

Në vitin 1957 qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjërë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemt dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente, mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi.

Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.

Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.