Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

“Më lejoni fillimisht që t’i bashkohem edhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe ti përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit, besimtarëve ortodoksë”, u shpreh Rama.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune, pas disa javësh i shtruar në një spital në Athinë. Pavarësisht ndërhyrjes nga mjekët, Kryepeshkoi nuk ia ka dalë.

Anastas Janullatos, lindi më 4 nëntor të vitit 1929 në Pire të Greqisë. Që në vitet e para të jetës ai nisi të angazhohej në kishe edhe pse kishte prirje për lëndët shkencore, kryesisht në matematike. Ndërsa me fillimin e luftës së dytë botërore, duke parë shkatërrim dhe vuajtje të njerëzve ai vendosi ti përkushtohej fesë, si një formë për tu ardhur në ndihmë atyre.

Më 1953 diplomohet shkëlqyeshëm në Universitetin Kombëtar të Athinës. Në vitet 1965 – 69 kreu studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Etnologji, Misiologji dhe Afrikanologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut.

Me përfundimin e studimeve, ai iu bashkua vëllazërisë “Zoi”, një organizatë fetare e fokusuar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi. Ai udhëhoqi disa lëvizje studentore qe kishin si synim jetësimin e besimit ortodoks tek të rinjtë.

Me tej angazhimi i tij do të vijonte në Shqipëri. Në vitin 1991, Anastas Janullatos do të caktohej Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal. Një vit më pas u zgjodh kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë.

Gjithashtu gjatë drejtimit prej tij te kishes ortodokse autoqefale shqiptare, u ndërtuan mbi 145 kisha si dhe u riparuan mbi 160 të tjera godinat e te cilave gjate regjimit komunist kishin ndryshuar funksionin e tyre.

Shërbimi i kryepeshkopit Anastas në Shqipëri ka ecur ne disa raste edhe mes vështirësish, kjo edhe ne varesi te raporteve politike e diplomatike mes mes Shqipërisë dhe Greqisë gjate ketyre tre dekadave. Ndërsa një cerek shekulli pasi erdhi, pikërisht në dhjetor të 2017, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare mori edhe nënshtetësinë shqiptare.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *