Sfida e Shqipërisë me Anglinë është në rrezik. Policia e Shtetit nuk merr përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Lajmin e ka dhënë Federata Shqiptare e Futbollit e cila thotë se i ka mbërritur një shkresë zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila thekson se strukturat e e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes.
“Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.
Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoratit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.
Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar”, thotë FSHF në një njoftim.
Zgjerimi i bizneseve pranë stadiumit ‘Air Albania’ është kthyer në një shqetësim për UEFA-n. Kjo e fundit ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të lirojë ambientet rreth e qark impiantit, pasi në të kundërt rrezikohet ndeshja me Anglinë, që luhet me 28 mars për kualifikueset e Botërorit. Për pasojë FSHF me anë të një letre i ka kërkuar IKMT-së që të lirojë hapësirat, duke qenë se zgjerimi pa kriter i bizneseve i ka humbur qëllimin kryesor stadiumit, që është organizimi i një ndeshje futbolli. Për këtë situatë FSHF ka vënë në dijeni si kryeministrin Rama ashtu edhe kryebashkiakun Erion Veliaj./ Shqiptarja.com/