KOMENT/
Kuvendi i Shqipërisë nuk do të humbasë kohë për të rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me pretendimin kryesor se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë ilegjitimë. Shumica parlamentare pritet të votojë edhe një herë ndryshimet në ligjin zgjedhor në datën 29 tetor 2020, me qëllim që ndryshimet të hyjnë në fuqi në mes të muajit nëntor, për t’u hapur rrugë institucioneve ligjzbatuese, për përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.Plani i rrëzimit me shpejtësi të dekretit të Metës është prezantuar nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, të datës 22 tetor 2020.
Ndonëse Meta nuk ishte shprehur ende për ndryshimet, Ruçi ka pohuar se: Ne, në qoftë se do ta lëmë në kushte normale që të rrjedhë, në rast kthimi nga Presidenti të këtij projektligji, i bie që të ulemi për të diskutuar për të dhënë datën 5, domethënë të vonohemi edhe një 10-ditësh tjetër. Kështu që, për t’i paraprirë edhe kësaj, do të kërkoj mirëkuptimin tuaj, që të zhvillojmë seancë në datën 29 me agjendën e seancës së datës 5, pra ta zhvendosim aty, ku të përfshihet edhe ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe nëse nga Presidenti do të kthehet, që është kufiri i 25-ës, komisioni përkatës ta shqyrtojë, dhe në datën 29 Kuvendi të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit, në qoftë se do të kthehet në kohë. Hipotetike është, s’kam pse e paragjykoj.
Ndërkaq, me kërkesën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, Presidenti Ilir Meta e ka dërguar Kodin e ndryshuar Zgjedhor për opinion në Komisionin e Venecias. Por, mazhoanca nuk do të ndjekë këtë skenar të opozitës, dhe për shkak se zgjedhjet parlamentare janë po afrojnë dhe afatet për zbatimin e ndryshimeve nuk janë të mjaftueshme. Sipas, PD, LSI dhe Presidentit ndryshimi i Kodit Zgjedhor ka shkelur marrëveshjen e 5 qershorit dhe rrezikon negociatat. Por, sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë, propozimi shtesë për hapjen e listave, nuk ishte shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit. (Shqiptarja.com)
VERITAS.COM.AL