Monedha e përbashkët Euro ka vijuar te nënçmohet në tregun tonë vendas, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro është këmbyer sot me 131.98 lekë, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta të 10 viteve të fundit. Monedha e përbashkët ka hyrë në një cikël rënës prej fillimit të këtij vitit, raporton ‘Monitor’.
Sipas ekspertëve, në këtë periudhë te vitit kur njësitë ekonomike mbyllin bilancet, euro duhej të forcohej përkundrejt monedhës vendase.
Ata argumentojnë se arsyet kryesore të këtij nënçmimi janë oferta e lartë në valutë, qarkullimi i ulët i lekut në ekonomi, si dhe afrimi i datës së fundit për pagesën e TVSH-së.
Gjithashtu një arsye tjetër është strategjia e Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi, e cila po ndikon në sjelljen e bankave dhe aktorëve të tjerë të tregut, që po shmangin euron.
Për sa i përket dollarit amerikan, edhe pse është çmuar me një ditë më parë, vazhdon të këmbehet në nivele shumë të ulëta. Një dollar këmbehet sot me 106.56 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e dobët, sidomos me afrimin e verës, kur rritet oferta në valutë si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve.
Një euro e dobët është pozitive për importuesit dhe ata që kanë hua në euro dhe të ardhura në lekë, ndërsa dëmton eksportuesit dhe ata që paguhen në euro.
Valuta e dobët është e favorshme për blerjet on-line dhe ata që udhëtojnë jashtë vendit.
Veritas.com.al/