Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në takimin për nismën Ballkani i Hapur (Open Balkan) në Beograd, do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov, njoftoi sot Sekretariati maqedonas për Çështjet Evropiane.
Siç thuhet në njoftim, nxitja e bashkëpunimit rajonal përmes iniciativës Ballkani i Hapur vazhdon me takimin e punës në Beograd më 3 dhe 4 nëntor, në të cilin në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane.
Dimitrov vjen në Beograd në vend të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili të dielën e 31 tetorit njoftoi dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit dhe liderit të partisë LSDM-së në pushtet, për shkak të humbjes së partisë në zgjedhjet lokale.
Sipas Sekretariatit për Çështjet Evropiane, të udhëhequr nga Dimitrov, “agjenda e takimit të punës (Ballkani i Hapur), i organizuar në bashkëpunim me Aleancën Atlantike, përfshin një panel diskutimi “Transformimi dixhital si dorë e shtrirë për integrimin rajonal”, në të cilin do të miratohen konkluzionet, do të mbahet edhe një konferencë për shtyp”.
“Në të njëjtën kohë janë planifikuar edhe takime lidershipi dhe takime me përfaqësues të kompanive nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, në të cilat do të diskutohet për lehtësimin e tregtisë”, thuhet në deklaratë.