Ministri i Jashtëm i Greqisë është paraqitur para parlamentit grek për të bërë transparente vizitat dhe bisedimet dypalëshe mes qeverisë së Greqisë dhe qeverisë së Shqipërisë. Të parat u zhvilluan në Korçë mes ministrit Kotsiaz dhe ministrit shqiptar Bushati; ndërsa të dytat në Davos- Zvicër mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Tsipras.

Ministri i jashtëm Kotsiaz deklaroi se në bisedimet dy paleshe nuk është folur mbi “çështjen Çame”, duke hedhur poshtë hamendjet patriotike të qeverisë shqiptare se mes dy qeverive u bisedua për të gjitha çështjet reciproke, dhe mes tyre më e rëndësishmja është quajtur Çështja Çame.

“Nuk kemi biseduar çështje çame në Shqipëri”, është përgjigjur shkurt Kotsiaz pyetjes nga Opozita parlamentare greke. Ministri u pyet nga Jorgos Kumutsakis, shef i Departamentit të Punëve të Jashtme në Nea Demokracia, raporton “To Vima”.

“Nuk ekziston çështja Çame dhe sigurisht nuk përbën objekt për bisedimet me palën shqiptare”, ka thënë Kotsiaz.

Ministri i jashtëm grek ka sqaruar edhe agjendën e çështjeve që janë shtruar në tryezën e përbashkët, si çështjet e mbetura pa zgjidhje gjatë 70 vjetëve të fundit.

Ai tha se ka një përmirësim “spektakolar’ të klimës së miqësisë greko- shqiptare.

Veritas.com.al/