Nga Leart Skiro/ Veritas/
Më së shumti shikoj që po “tronditen” mediat. Edhe pse kryeministri i ka akuzuar “të dëmshme” dhe “fajtore” njësoj sa politika e keqe, mediat përsëri po i qëndrojnë afër politikës. Qëllimi është që të zbulojnë çfarë po ndodh, sigurisht.
Lajmet, që këto ditë po vijnë e shkojnë më të shpeshta se më parë, po tregojnë një gjë ndryshe:
Tani zërat kundërshtues pop bëjnë rrugën “lart e poshtë”, dmth., vertikalisht. Nëse i drejtoheni kujtesës, kohë më parë, edhe sfidat, edhe batutat, edhe kundërshtitë brenda partive të koalicionit qeveritar, bënin rrugën paralele, ose horizontale. Kjo ishte aq “e studiuar” mes dy krerëve të “shqiponjës” qeverisëse, saqë ka ndodhur kështu: Kur nga pala e Rilindjes “cicërinte” dikush me trup të shkurtër, këndej nga LSI zgjidhej më i shkurti. Më trup- gjatët në LSI, Shezai Rokaj dhe Petrit Vasili, janë ruajtur gjithnjë për të sfiduar më të gjatin e Rilindjes, Rama.
Homolog i ministrit Tahiri jo më kot është piketuar ministri Manjani; jo veç si post, por edhe si profesionist në Drejtësi. Tahiri “shkurtohet” e hyn në ujë para juristit Manjani, Tahiri është një “zog” i vogël që nuk u provua kurrë në zanat pas bankave të shkollës…
Por tani ka ardhur momenti kur të dy partitë po braktisin paralelet dhe horizontalet. Dialogu ka marrë pamje vertikale. Në qendër të sulmeve nga eksponentë të Rilindjes është vënë vetë kreu i LSI dhe njëkohësisht kryetar i Kuvendit. Njëri nga deputetët rilindës, njëkohësisht kryetar i njërit nga komisionet Parlamentare, Erion Braçe, guxoi t’i drejtohet Metës me fjalët: “Ej, do të mbash vendin ti, mos na sfido ne, apo si e ke hallin!?”.
Kryetari i LSI, Meta; ndërkohë po luan lojën tjetër, atë të distancimit prej takimeve fizike me kryeministrin dhe rrënimin e tokës ku qëndron ai. Sot, në një lëvizje surprizë, ka thërritur në takim përfaqësues të AKIP, që është shoqata që mbron mjedisin nga ligji për mbetjet. Kryeministri e ka sfidë personale dhe të qeverisë së tij ligjin për importimin e mbetjeve. Pasi miratimit në parlament me minimum votash, ligjin e ktheu Presidenti i Republikës, Nishani, për një rishqyrtim Parlamentar. Tani e ka radhën Ilir Meta, i cili kurrë nuk ka qenë entuziast për këtë ligj. Por, ama, tani i ka ardhur në dorë që të sfidojë kreun e qeverisë. Iliri, tashmë i sfiduar nga Rama, po pret të përgjigjet. Me siguri që nuk do ta votojë ligjin për importin e mbetjeve. Me këtë mënyrë, Meta sfidon ramin para mediave që po shikojnë “lojën” dhe bëjnë tifozllëkun e tyre, nga ana tjetër hedh “rrjetat” për më shumë votues nga populli që nuk e do importimin e plehrave nga jashtë.
Meta, thjesht po kthen “reston” për kryeministrin.
Kryeministri Rama e goditi fort Metën para pak ditësh. Ai iu kthye batutave me natyrë natyralite (siç e ka më lehtë) dhe e paragjykoi Metën publikisht se “po rimartohet me të djathtën”. I kujtoi aleatit se “ia di martesat e para” dhe se mund të vijë puna që LSI të mbetet me PD-në.
Kryeministri e di veten të garantuar me aleancën e re që ka ndërtuar me PDIU, ose “parti e Çamëve”, siç ka deklaruar. Ai mendon se i mjaftojnë pesë deputetët çamë për të mbajtur më këmbë qevberinë edhe pa Metën. Për këtë është investuar fort, duke prishur edhe marrëdhëniet me Greqinë- një kundërshtar emblematik i Partisë së Çamëve… Mirëpo as këtu nuk i shkojnë mirë punët. Kryetari i “Çamëve”, Idrizi, para disa ditësh tha se nuk është edhe aq i kënaqur me koalicionin e ri. Varet se sa vende ministrore mund t’i marrë Metës për t’ia dhënë Idrizit.
Por prapë dialogu ka shkuar në majë. Pas saj pritet që ose të shuhet fare, ose të krijojë tensione.
/Veritas.com.al/