Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës ka realizuar një urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, respektivisht departamenti i Përgjithshëm i kësaj gjykate ku ka arrestuar deputetin e PSD-së, Dardan Molliqajn, njofton gazeta ‘Express’

Sipas policisë urdhër arresti për Molliqajnë është nxjerrë më 12 maj të këtij viti, do të thotë të dielën.

“Sot, konform detyrimit ligjor, policia ka realizuar një urdhër arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm. Urdhër – arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet, për policinë, që i pandehuri D.M, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë themelore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës.

Ndërkohë sipas PSD-së, arrestimi i Molliqajt nga ana e policisë nuk ka qenë i paralajmëruar e ai as nuk ka pasur më herët ndonjë ftesë për seancë apo paraqitje në gjykatë.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj.

“PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Dardan Molliqaj është bashkëshort i ministres së së Arsimit në Shqipëri, zonjës Besa Shahini.

Veritas.com.al/