Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin  antidrogë  të koduar “Horizont” . Si rezultat i këtij operacioni u  goditen 2 raste të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në total janë sekuestruar 190 kg lëndë marijuanë .

Katër persona janë arrestuar si dhe 1 tjetër është në kërkim .

Në Kurbin, u arrestuan 3 shtetas, 1 u shpall në kërkim si dhe u sekuestruan 153.5 kg lëndë narkotike marijuanë.

Në Lezhë  u arrestua 1 shtetas si dhe u sekuestruan 36.5 kg lëndë narkotike marijuanë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se ‘në datë 18.05.2017, në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe vendosjes para përgjegjësisë penale të autorëve, nga Seksioni kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë , në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore  të mirëorganizuar , u finalizua me sukses operacioni i gjerë  antidrogë në rang Qarku i koduar “Horizont ” .

Në Kurbin , në vendin e quajtur Fushë – Mamurras ,  u kap në flagrancë mjeti tip Opel me targa AA 605 IC ku brenda tij ishte fshehur lëndë narkotike e paketuar  ku në peshë totale rezultoi 153.5 kg.

U arrestuan në flagrancë të dyshuar si poseduesit e kësaj lënde narkotike ,  3 shtetasit : Agron Prelaj  40 vjeç, banues në Tiranë; Albert Haxhia 27 vjeç, banues në Tiranë; Lek Lari  40 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.M. 42 vjeç, banues në Tiranë i dyshuar si bashkëpuntor  si dhe punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpuntorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

/Veritas.com.al/