Frrok Çupi/

Këtu në Tiranë po veshin qyrkun e patriotizmit, sidomos majtistët, dhe po thërrasin se “në Maqedoni humbën shqiptarët”. Kjo është një idiotësi në vetvete, por një përrallë që “Rilindasit” duan t’ua shesin “deleve”. Në Maqedoni u prekën rëndë Majtistët sorosianë të Shqipërisë, dhe disa majtistë primitivë që akoma po vegjetojnë nëpër zyrat e BE.

Në Maqedoni nuk u prekën shqiptarët, as interesat e tyre, as linguistika e tyre, as etnografia e tyre. Aty nuk ndodhi asgjë më shumë, as më keq e as më mirë- me shqiptarët në krahasim me bashkëqytetarët e  tyre sllavo-maqedonas. Në Maqedoni dështoi krijimi i një qeverie “mbi cicmica”, siç po bëjnë majtistët e telendisur në vendin tonë dhe rreth nesh. Presidenti i Republikës, Ivanov, nuk lejoji që ish- opozitari “i përgjimeve”, Zaev, të formonte një qeveri bazuar mbi numra të “vdekur” dhe jo mbi frymë e mbi vullnete dhe mbi përfaqësi politike. “Kryeministri” i ardhshëm kishte rekrutuar deputetë, por nuk kishte mundur të bëjë koalicion qeverisës. Fiks siç bëjnë majtistët sorosianë këtu në Tiranë dhe kudo ku akoma kanë influenca.

Atëherë Presidenti Ivanov, për të ruajtur shtetin dhe shtetasit e vet, nuk dha leje për krijimin e kësi soj qeverie.

Më në fund humbi ajo çfarë duhej të humbte: Humbi presioni i klaneve të George Soros për ta mbajtur nën kthetra Maqedoninë “ e tij”. Vetë Zaev është një “poppet” i rritur nëpër kopshtet e fëmijëve të George Soros, aktivist i tij, përfitues i tij dhe vegël e tij. Jo rastësisht, kryeministri i Shqipërisë, Rama, dje iu bëri temena “mirësive” të George Soros dhe mallkoi të gjithë ata që kanë përfituar prej tij e tani po i kthejnë kurrizin. Vetë Rama dhe të gjitha gratë e tij janë “poppet” të Soros; një nga gratë e fillimit po akuzohet se po krijon trazira në Shkup në emër të George Soros… Veç kësaj, dje, si dita e fundit e vendimit për qeverinë e Maqedonisë, kryeministri i Tiranës, duke bekuar Sorosin, i bënte presion presidentit të Maqedonisë dhe jepte mesazhe për Zaev që “të jeni mirënjohës” ndaj Soros.

Por presidenti dhe shteti i Maqedonisë nuk u shantazhuan nga “popet-ët” e Soros, as këtu as atje. Humbi ajo çfarë duhej të humbte.

Qeveria e Shqipërisë e futi vendin dhe diplomacinë e tij në një tunel të errët në raport me Maqedoninë dhe me fqinjët. Vetë kryeministri thërriti në Tiranë përfaqësues të shqiptarëve në politikë dhe i “fryu” që të votojnë për majtistin  Zaev. Presidenti i Maqedonisë dhe kryeministri në post, Gruevski, u detyruan të deklarojnë se “Shqipëria po fut duar në politikën e brendshme të Maqedonisë”.

Pse e mori qeveria e Tiranës rolin e “fitilit” në politikën e Maqedonisë?

Në radhë të parë, të detyruar nga George Soros. Ai që i rriti dhe i bëri qeveritarë në Tiranë, tani kërkon që këta të kthehen në misionarë për të mbështetur interesat e tij në Maqedoni ose për të trazuar Maqedoninë.

Së dyti, qeveria e Tiranës, e mbetur në fundin e listës së majtistëve liberalë të Europës që po presin fundin për shkak të vërshimit të pakënaqësisë dhe urrejtjes popullore dhe ardhjes së djathtistëve, ka ngritur dorën për ta mbajtur edhe pak “bajrakun” ngjye pink të Soros në Ballkan. Menjëherë reaguan edhe majtistë të tjerë në Ballkan: Thaçi në Kosovë dhe Meta në Tiranë.

Qeveria e Tiranës e ka marrë përgjegjësinë e “mbajtjes së frymës liberale” si karshillëk ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Shtetet e Bashkuara, George Soros është shpallur  “kërcënim për sigurinë kombëtare”. Edhe në vende të tjera të Europës, si në vendlindjen e tij në Hungari. Kryeministri i Shqipërisë ka instaluar një qëndrim armiqësor me Shtëpinë e Bardhë. Në këto rrethana mendon se i shkon roli i kaçakut për të ndezur zjarre anti- amerikane rreth e rrotull “shtëpisë”.

Kësaj here humbi Soros; humbi edhe pse Maqedonia e di mirë çfarë rreziku është dhe prandaj mbron shtetin e vet.

/Veritas.com.al/