Shtetet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) shpesh jepen si emërim në grup. Jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, as për të kaluarën e përbashkët, por edhe për gjendjen pak a shumë të ngjashme politike dhe ekonomike.

Por, një çështje ku dallojnë shumë këto shtetet, është tek trajtimi që u bëjnë ato veteranëve të tyre të luftës.

Derisa Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që të lidhë pensionin e veteranit me pagën minimale, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojnë të marrin vetëm nga 170 euro në muaj pension, që është 80 euro nën pagën minimale. E paga minimale nënkupton pragun nën të cilin jeta është e papërballueshme për një person.

 

Derisa në Kosovë diskutohet gjerësisht dhe bëhen protesta për 80 euro më shumë në shtetet përreth, si Maqedonia e Veriut për shembull, pensioni i veteranit mund të shkojë deri në 800 euro duke përfshirë këtu edhe definicione të tjera.

 

Adrian Kerimi, gazetar në televizionin Alsat M, ka treguar për Albanian Post se vlera bazë e invaliditetit luftarak është një rrogë mesatare prej (29.800 denarë apo 500 euro).

Por, me ligj janë te rregulluara kushtet që nënkupton përveç rrogës bazë personat që gëzojnë invaliditet luftarak marrin edhe kompensime shtesë, varësisht nga shkalla e invaliditetit.

Shkalla e invaliditetit rregullohet në mënyrë të tillë që invaliditeti luftarak i plotë (100%) përfshinë pension invalidor dhe shtesa për fëmijë.

Çdo shkallë më e ulët e invaliditetit, kap vlerën më të vogël të pensionit.

(Selia e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut)

Nga të dhënat e nxjerra nga Qeveria e Maqedonisë, invaliditeti i plotë luftarak, merr pension prej 800 eurosh, shtesa për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare, përparësi të familjarëve në regjistrimin e fëmijëve në shkolla, përparësi për regjistrim në universitet, lirim nga taksat bazike komunale dhe gjithashtu transport publik falas.

Nëse invaliditeti i veteranit është më i ulët, atëherë bie edhe pensioni 700 euro, 500 euro e më poshtë.

Shuma pakrahasimisht më të mëdha se në Kosovë marrin edhe veteranët e luftës në Serbi. Edhe atje, njëjtë si në Maqedoni, pensioni është i lidhur shumë me shkallën e invaliditetit gjatë luftës.

Për sqarim, invalid nuk nënkupton veç mungesa e ndonjë gjymtyre fizike, por edhe shqetësime të tjera jo fizike që duhet të trajtohen.

Gazetari i të përditshmes serbe Danas, Vuk Jeremiç, e ka sqaruar për Albanian Post se si është e rregulluar me ligj çështja e veteranëve.

“Serbia e ka kaluar ligjin në vitin 2020 që e rregullon këtë çështje. Veteranët e luftës paguhen, por shuma që marrin varet nga disa gjëra – përfshirë lëndimet në kohën e luftës, paaftësinë e tyre dhe në çfarë shkalle, a kanë të ardhura të tjera, a kanë anëtarë të familjes të punësuar dhe kështu me radhë”, tregon Jeremiç.

“Sa më keq që e ke gjendjen, më shumë para merr”, shjegon gazetari serb.

“Për shembull veteranët që shprehin paaftësi të plotë, ta zëmë dikush i verbër, mund të marrë pagesë mujore që është e barasvlershme me dy rroga mestare në Serbi. Merr diku më shumë se 1000 euro”.

Por, jo të gjithë marrin këtë shumë, pasi siç u shpjeguar, varet nga shumë faktorë të tjerë dhe varësisht nga situata individuale ndahet edhe pensioni për veteranë.

(Selia e Qeverisë së Serbise)

Në Kosovë në anën tjetër, nuk ka kurrfarë ndarje. Të gjithë marrin një shumë të sheshtë prej 170 euro që është më pak se paga minimale.

Për çudi, askush nuk e di se përse pikërisht është caktuar kjo shifër, sepse nuk lidhet as me pagën paraprake minimale, për të cilën deklarohet se ka qenë 120 euro në kohën kur filluan të jepeshin pensionet e nuk lidhet as me pagën minimale që e përcakton ligji i ri, që është 250 euro.

Veteranët e kanë parë të arsyeshme që statusi i tyre të rregullohet tash, kur është votuar në lexim të parë, ligji për pagën minimale, por qeveria vendosi të mos i përfshi.

Kryeministri Albin Kurti madje as nuk i priste në takim, thoshin veteranët.

Pas protestave disa ditore, Kurti u bëri thirrje për takim në zyrën e tij, por edhe pas dy orësh diskutime nuk u arrit asnjë pajtim.

Kryeministri ngul këmbë se fillimisht duhet të bëhet pastrimi i listave të veteranëve, sepse ai thotë që ka veteranë të rrejshëm në lista. Derisa, nuk është se ndërmerr ndonjë hap konkret për pastrimin e tyre.

Po ashtu, kjo e bën situatën paradoksale krejtësisht, sepse edhe konstatohet që ka veteranë të rrejshëm edhe vazhdohet t’u jepet pensioni prej 170 euro, që i bie se veteranët e rrejshëm marrin pension aktualisht.

Por, kundërshtarët e Kurtit kanë thënë se nuk ka të bëjë fare me paratë, sepse qeveria ka dhënë shumë më shumë para për çështje të tjera, siç është subvencionimi i kompanisë private për blerje të energjisë elektrike (100 milionë euro), por është në pyetje qasja e qëllimshme e tij në raport me veteranët e luftës.

Deri në një zgjidhje të situatës, veteranët do të vazhdojnë të protestojnë, kurse opinioni i përgjithshëm jo rrallë del me akuza për ta se me faktin që po kërkojnë para për kontributin, i bën ata mercenarë të luftës.