Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA) ka vënë në pranga dy punonjës policie. Bëhet e ditur se të arrestuarit janë punonjësit e policisë Almir Doda dhe Edmond Llaçini.
Të arrestuarit akuzohen për “ndihmë për kalim ilegal të kufijve” dhe “për grup të strukturuar kriminal”. “Efektivët e policisë kanë ndihmuar persona të ndryshëm për kalimin e kufirit. Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për dy efektivët”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, arrestimi u krye pas një hetimi disamujor me metoda speciale, pasi dy efektivët e policisë dyshoheshin se ishin përfshirë në veprimtari antiligjore, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar persona të ndryshëm për kalimin e kufirit, në kundërshtim me procedurat ligjore.
Për të dy efektivët e policisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa akuzohen për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Në datë 21 shtator në Rinas u arrestua edhe Brunilda Duda, me detyrë kontrollore në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Emigracionit Rinas, pasi dyshohet se lejoi që të futeshin në Shqipëri 7 shtetas turq, në mënyrë antiligjore.
Veritas.com.al/