Punonjësit e kompanisë “ICTS” në aeroportin e Rinasit janë befasuar kur gjatë skanimit të disa pakove të një kompanie të postës së shpejtë, kanë konstatuar pjesë armësh luftarake.
Burime nga policia thanë se bëhet fjalë për pjesët e të paktën dy a më shumë kallashnikovëve, të cilët do të kalonin përmes aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit.
Sipas të njëjtave burime, nga hetimet e deritanishme rezulton se destinacioni final i pjesëve të armës luftarake ishte Britania e Madhe, ndërsa pakot do të kalonin tranzit nga Athina.
Pjesët e kallashnikovëve ishin ndarë në 3 pako ndërsa policia ka nisur hetimet për zbulimin e personave të implikuar në këtë tentativë trafiku.
Hetimet janë fokusuar tek personat që kanë nisur pakot por po punohet edhe për identifikimin e pritësve të dërgesës. Pjesët e armëve janë gjetur pasditen e së enjtes, ditë kur policia e shtetit njoftoi se ka marrë masa shtesë antiterror, si në mbarë shtetet europiane, pas disa sulmeve dhe kërcënimeve në vazhdim të ISIS.
Ngjarja ka alarmuar autoritetet ndaj mësohet se për hetimin e këtij rasti është ngritur një grup pune nga Prokuroria, drejtoria e antiterrorit, drejtoria e krimit të organizuar dhe SHISH.
Veritas.com.al/