Në komunikimin e përditshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, nga përfaqësuesit e Task-Forcës së ngritur nga Ministrja Ogerta Manastirliu, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës, Eugena Tomini, ka konfirmuar se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirusin COVID-19 dhe deri mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste që kanë rezultuar negative.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID 19, deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 8 raste të dyshuar që kanë patur histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi dhe kanë rezultuar negativ nga testimi në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Theksojmë se diagnoza e plotë e COVID 19 kryhet pranë Laboratorit të Virologjisë, i vetmi në vend i çertifikuar nga OBSH”, u shpreh Tomini.
Duke theksuar shtimin e masave në pikat kufitare, Tomini është shprehur se pas konfirmimit të koronavirusit COVID-19 në Itali vetëm në 24 orë janë monitoruar 4700 persona që vinin nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, përfshirë edhe Italinë.
Duke theksuar se Ministrja Manastirliu ka firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno-sanitare edhe në institucionet arsimore, përfaqësuesja e Task-Forcës bëri apel për të gjithë qytetarët për të qenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.
Veritas.com.al/