Frrok Çupi
Nuk kaloi aq shumë kohë pas Kurti i Kosovës anuloi vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Rama, në Prishtinë… Menjëherë shfaqen titrat e lajmit nga Pekini: ‘Kina anulon vizitën e Josef Borrel nga BE!’.
Edi Rama do të dërgonte në Prishtinë mesazhin e Shteteve të Bashkuara të prurë në Tiranë nga presidenti Clinton; ndërsa Borrel do të dërgonte në Kinë mesazhin e BE.
Asnjëri nga mesazhet nuk u pranua. Të dy mesazhet vinin nga Perëndimi. Ky është shkaku i vërtetë pse si Kurti edhe Kina mbyllën derën dhe dritaret. Të dy palët, si Kosova edhe Kina, vihen përballë si kundërshtarë të Perëndimit dhe nuk lejojnë depërtim.
Çfarë po ndodh kështu?
Të thuash se ka ndodhur rastësisht, kjo nuk del e vërtetë. Por edhe të thuash se kjo është një sjellje e mbetur që në periudhën e Luftës së Ftohtë mes ‘miqsh e armiqsh’ Lindje e Perëndim- as kjo nuk është e plotë.
Në ‘rastësinë’ Kurt- Kinë ka një thelb. Edhe në skemën perëndimore për të bërë çdo lëvizje para se Prishtina e Kurtit të izolohet nga çdo marrëdhënie me Perëndimin, duke përfshirë edhe vizitën e Clinton- prapë ka një thelb. Shtetet e Bashkuara sapo kishin dërguar në Pekin sekretarin e shtetit të SHBA, Antony Blinken, i cili u përcoll pa ndonjë rezultat drejt Uashingtonit.
Sa për ‘dyert e mbyllura’ në Prishtinë morëm një indicie nga një aleat i Kurtit në Tiranë. Sali Berisha një nga armiqtë e shpallur të demokracisë dhe sfidant i egër i qeverisë amerikane, deklaroi menjëherë se pritet “Korrik ‘i nxehtë’ e tetor ‘përvëlues’ për Ramën, s’do të shpëtojë as Soros!’. Me ‘Soros’ ai nënkupton presidentin Clinton, presidentin Biden dhe qeverinë e Blinken. Ky këtu flet në emër të të dy forcave që i mbyllin derën Perëndimit, Kurti në Europë dhe Xi në Azi. Ish- presidenti i Shqipërisë, i zbuluar si një nga armiqtë e sigurisë në Shtetet e Bashkuara, po lajmëron luftë.
Jo se ky i di të gjitha prej mendjes së tij, por sepse di hollësisht planet e zeza të Kurtit kundër Kosovës dhe kundër Shqipërisë. Fakti që njofton për luftë të nxehtë në verë dhe në vjeshtë, do të thotë se kundërshtarët e Perëndimit presin një luftë me Perëndimin.
Po kur do të jetë kjo?
Rusia po rekruton mijëra ushtarë për t’i dërguar në luftën e Ukrainës. Wagner e vuri Putinin me shpatulla për muri e tash ky do të vërë nderin në vend me anë të një lufte. Kurtit i duhet një luftë e përgjakshme në Veri me qëllim që të dalë ‘fitimtar’ para Kremlinit dhe Pekinit- ndoshta. Por dihet se të paktën do të mburrët para antiperëndimorëve. Edhe në mes Kosovës e Shqipërisë, Kurti po nxeh gjakrat.
Atëherë i bie që Kurti dhe Kina të kenë mprehur shqisat e luftës. Para ‘stuhisë’ këta ndalojnë hyrjen në Pekin dhe Prishtinë të dy të të dërguarve të Perëndimit: Rama dhe Borrel.
Ata e kanë nga e mira dhe nga ligjet e luftës: Në momentin e shpërthimit, askush nga Perëndimi të mos ndodhet aty.