Frrok Çupi
Atentati ndaj ish presidentit Donald Trump, dështoi; dështoi për fije aq të hollë sa shtypi botëror po thotë se ‘fat që është i gjallë’.
Tani sapo është larguar nga spitali. Por i sëmuri që mbetet në pikëpyetje është çështja se c’drejtim do të marrë fati i Amerikës, qytetërimi modern dhe paqja e stabilitetit në botë. Ne në Shqipëri, frymën amerikane e kemi më të afërt se askush. Kryeministri ynë, Edi Rama, pak orë pas atentatit, si duke iu referuar rajonit të tij, shkroi: “Kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës’.
Vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Biden, e dënoi këtë ‘ akt të sëmurë’. Liderë të tjerë të botës demokratike u rreshtuan në ndëshkim të aktit kriminal dhe në mbështetje të Amerikës.
Të gjithë sot jemi Amerika!, do të duhej të përkthehej e gjitha ajo që u ngrit pas ngjarjes. Atentati i fundit kundër një presidenti amerikan ndodhi në vitin 1981. U plagos rëndë Ronald Reagan. Pas plumbit vetë presidenti kërkoi heshtje të thellë, vetëm atentatori dhe viktima me enturazhin e vet ‘e morën vesh’. Por nuk po zgjaste, jeta e presidentit u vu seriozisht në rrezik. Presidenti u nis nga Shtëpia e Bardhë për në spital, i mbytur në gjak.
Sapo hyn mjeku i parë.
Presidenti hap pak sytë dhe i drejtohet atij që hyri:
-A je Republikan?
Presidenti, me sa duket desh t’i thoshte: ‘Nëse nuk je Republikan, nuk besoj të bie në dorën tënde!”. Ky ishte humor i presidentit për t’ i thënë se ‘ka ndodhur asgjë’ .
Mjeku iu përgjigj Ronald:
-Zoti President, sot të gjithë jemi Republikanë!
Amerikës sot po i kërkohet të jetë e tëra ‘ Donal Trump!.
Por cili “ Donald?”, ai që kërkon postin e Presidentit, apo njeriu që u plagos nga një atentat i planifikuar për vdekje? Askush nuk e ndan dot.
Amerikanët ndodhen në vijën ndarëse nëse me fikë dhe atentate do të zgjidhet presidenti i ri, apo në kushtet e demokracisë amerikane?
Amerikanët ndjehen të frikësuar nga dhuna politike.
Të dy palët e rreshtuara në garën për president në Nëntor 2024, njësoj po i hedhin benzinë zjarrit. Kjo që ndodhi me atentatin kundër njërit prej tyre, kjo nuk mund të tolerohet.
Çfarë do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara?
Ose do të bashkohet Amerika e do të sigurojë garanci ër të gjithë, ose mëdyshja tjetër nuk dihet. Kjo qëndron pas një Trumpi të gjakosur.
A do të zbusë retorikën ‘krimnale’ dhe despotike, secili kandidat: Trump dhe Biden?
A do të kemi në Amerikë një president të plagosur që në fillim, a do të kemi një president të sulmuar për demenca të theksuara…, apo cilin President.
Amerika pret cilën Amerikë, por edhe bota pret atë Amerikë të sigurt dhe të paqtë. Nëse mundet Amerika të kthehet te humori i Ronald Reagan para mjekut të tij: ‘A je Republikan, apo çfarë…”